Kurti: I bëjmë thirrje Perëndimit të kushtëzojë benefitet ndaj Serbisë
BKT
Lajme

Kurti: I bëjmë thirrje Perëndimit të kushtëzojë benefitet ndaj Serbisë

M.Pasoma / RTKlive

Rritja ekonomike, koalicioni zgjedhor me Guxo e Alternativën e deri te thirrjet ndërkombëtare për pozicionin e tyre karshi Serbisë kanë qenë pjesë e fjalimit të kryeministrit Albin Kurti, gjatë Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Perëndimit i bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen benefitet aktuale jo vetëm ato të ardhshme nga BE, Amerika e Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen ata që bashkëpunojnë me personat qe ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Kjo lista e zezë me emrat e kriminelëve duhet të japë rezultate”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po e keqpërdor situatën, duke sjellë artileri brenda rripit prej 5 kilometrave afër kufirit Kosovë-Serbi.

“Sulmet që na bëjnë janë dëshmi e suksesit tonë. Përpjekja e tyre për një makinë kohore që i kthen para vitit 1999, para 2008, a para 2021 është shprehje e karakterit revizionist të regjimit në Serbi dhe kjo gjen mbështetje te kushtetuta agresive e Serbisë. Ajo duhet të ndryshojë. Të gjitha angazhimet tona nuk janë të bazuara thjesht në vullnet të popullit e në ligj por edhe në vlerat demokratike”, ka vazhduar Kurti.

LVV garon sërish me Guxo dhe Alternativën

Kurti teksa ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin me presidenten e kryeparlamentarin, ka bërë të ditur se VV garon sërish me dy subjektet tjera politike Guxo dhe Alternativa.

“Me Guxo edhe Alternativën do të jemi bashkë në koalicion ashtu siç kemi qenë. Sërish në një listë për zgjedhjet e ardhshme. Sepse jemi ballëhapur si askush para nesh e nuk po mund të them pas nesh se do të fitojmë sërish. Ky është moment i rëndësishëm për përgatitjet tona organizative”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se rritja ekonomike në vend ka ndodhur në kohën e trysnive nga Serbia.  

“Ekonomia e vendit tonë apo GDP është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit 35 për qind. Të hyrat tatimore janë 40 për qind më të larta se më 2021, kur krahasohemi me veten jo me të tjerët. E kemi rritur dy herë pagën minimale. Kjo rritje ekonomike nuk është bërë në kurriz të demokracisë apo të drejtave të njeriut. Përkundrazi ky progres demokratik nuk është realizuar pse Serbia na la të qetë, pse ne iu nënshtruam asaj duke ia marrë Listë Serbe në koalicion, duke ia dhënë Zajednicën apo duke ia premtuar veriun e Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial siç patën bërë pararendësit tanë në ekzekutiv”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, kërcënimet më të mëdha te sigurisë, tentimet me të rënda për stabilizim i ka pasur Qeveria Kurti.

Tutje Kurti ka bërë thirrje për unitet të deputetëve të VV-së, duke thënë se duhet të gjindet pajtueshmëria edhe atëherë kur idetë nuk përputhen.


MË SHUME NGA Lajme