Gashi: Një qeverisje e tillë nuk i duhet vendit
BKT
Lajme

Gashi: Një qeverisje e tillë nuk i duhet vendit

Valmira Saraçi-Sahatçiu|RTKlive

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi tha se po shkohet drejt fundit të legjislaturës së tetë, por sipas tij problemet e kësaj legjislature dhe të shumicës parlamentare po vazhdojnë. Sipas tij, do të jetë e vështirë të miratohen ligje gjatë kësaj kohë të mbetur deri në zgjedhje, por ai ka garantuar votat e LDK-së për marrëveshjet ndërkombëtare, për siç tha në mbrojtje të interesit të qytetarëve.

“LDK konfirmon pjesëmarrjen dhe votimin e  marrëveshjeve ndërkombëtare  të cilat janë në interes për vendin, por si duket shumica parlamentare është e humbur dhe problemet vazhdojnë. Sa i përket temave të rëndësishme për vendin vazhdojmë të jemi në një situatë të paaftësisë në qeverisje dhe vazhdojmë të kemi probleme në aspektin e përfaqësimit ndërkombëtar. Një qeverisje e tillë nuk i duhet vendit dhe tashmë po shkojmë drejt zgjedhjeve e qytetarëve të Kosovës do tu mbetet të vendosin çfarë lloj qeverisje duan”, tha ai para gazetarëve.

I pyetur për deklarimet e kryeministrit për mediat, ai këtë e quajti  qasje  të gabuar.

 “Gjeneralizimin e  demonizimit dhe sharjes e fyerjes ndaj medieve është qasje e gabuar, e dëmshme për demokracinë, e dëmshme për fjalën e lirë. Pra, në mënyrë direkte bëhet presion mbi fjalën e lirë dhe median, mbi opinionin dhe mendimin kritik dhe mbi qasjen e mendimin ndryshe. Është e dënueshme, e papranueshme dhe e dëmshme për demokracinë”, tha ai.

Ndërkohë, kur foli për masën ndaj mallrave serbe tha se është një çështje delikate dhe problematike.

“Kosova i ka të drejtat dhe obligimet e veta, por gjithsesi duhet të trajtohet si anëtar i barabartë.  Në këto rrethana duket se Qeveria e Kosovës në vazhdën e problemeve në aspektin e komunikimit ndërkombëtar është një nga problemet që i ka. Duhet të mbrohet maksimalisht interesi i Kosovës e të ruhet anëtarësimi i shtetit në organizata multilaterale”, tha Gashi.


MË SHUME NGA Lajme