Interesimi për lexim, Sadikaj kërkon të ketë më shumë lexues të rinj
Sh.G / RTKlive
Në emisionin e “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, drejtoresha e Bibliotekës Ndërkomunale në Prizren Sahadete Sadikaj, ka folur për interesimin të rinjve për të qenë pjesë e bibliotekës. Ajo është shprehur e kënaqur me lexuesit e bibliotekës, por ka thënë se do të donin edhe më shumë lexues.
“Interesimi i të rinjve, por edhe të gjithë grup moshave për të qenë pjesë e bibliotekës është i mirë, por jo aq sa ne do të donim. Ne duam më shumë lexues, duke pasur parasysh se jemi bibliotekë publike dhe lexuesit tonë janë që nga mosha parashkollore dhe deri të pensionerët“, ka theksuar Sadikaj.
Drejtoresha e Bibliotekës Ndërkomunale në Prizren, Sahadete Sadikaj ka thënë se fëmijët e frekuentojnë bibliotekën, por kjo varet shumë se si i orienton shkolla dhe prindërit.
“Kemi fëmijë që vet prindi e orienton qysh në moshën parashkollore dhe pastaj natyrisht kjo bëhet shprehi tek ata fëmijë. Ne bëjmë vizita të rregullta në institucione parashkollore sepse aty krijohet momentit i parë i dashurisë për librin. Ne tentojmë qysh nga ajo moshë t’i ftojmë fëmijët për lexim e duke vazhduar pastaj edhe në shkolla fillore e tutje”, ka deklaruar Sadikaj.























