Kelmendi e Filkov diskutojnë për bashkëpunim në fushën e drejtësisë
BKT
Lajme

Kelmendi e Filkov diskutojnë për bashkëpunim në fushën e drejtësisë

E. Hoti / RTKlive

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, priti ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov. Gjatë takimit palët janë pajtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm në proceset e ardhshme në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe atij ndërshtetëror për parandalimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin adekuat të kryesve të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të KPK-së, Kelmendi e informoi Filkov për shtrirjen organizative dhe proceset aktuale të punës së Prokurorit të Shtetit, me theks të veçantë në zhvillimin e aktiviteteve që kanë për qëllim fuqizimin e sistemit prokuroria duke shprehur me këtë rast edhe gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të vazhduar më tej bashkëpunimin me institucionet e sistemit prokurorial dhe mekanizmat e tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me institucionet e drejtësisë, duke pasur parasysh përkrahjen dhe mbështetjen e plotë dhe të ndërsjellë ndërshtetërore në drejtim të garantimit të integritetit dhe profesionalizmit të sistemeve tona prokuroriale”, tha ndër të tjera Kelmendi.

U.D. kryeprokurori i Shtetit zhvilloi një bashkëbisedim të gjerë me delegacionin e lartë të shtetit të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht sa i përket interesimit të tyre për të pasur informacione të zgjeruara për funksionimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) në sistemin prokurorial.

“Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Igor Filkov, ka falënderuar Kelmendin për pritjen e bërë dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave për të pasur një pasqyrë më të qartë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit për fuqizimin e sundimit të ligjit në të dyja vendet”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet ky delegacion vizitoi edhe ambientet e Prokurorisë Speciale, ku është njohur nga afër me procesin e punës, zhvillimin dhe funksionimin e SMIL-it në këtë prokurori, i cili është një projekt madhor i shtrirë në tërë sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.   

 


MË SHUME NGA Lajme