30 këngë në garë për festivalin e RTSH-së
Intervistoi: Albana Bajrami|RadioKosova
Ditët e Festivalit të 63-të në Radiotelevizionin Shqiptar po afrojnë, ndërsa është publikuar lista zyrtare me emrat e artistëve të përzgjedhur nga Komisioni Përzgjedhës për Kualifikimin e Këngëve Pjesëmarrëse në Festivalin e 63-të të Këngës në RTSH. Në një intervistë për Radio Kosovën, Zefina Hasani, njëra nga drejtueset e Festivalit, tha se janë 30 këngë që do të garojnë për çmimet e këtij Festivali, ndërsa kënga fituese do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
Radio Kosova: Zonja Hasani, tashmë janë shpallur emrat e artistëve që do të garojnë në Festivalin e 63-të të këngës në RTSh. A mund të na thoni, sa këngë janë përzgjedhur, a ka pasur konkurrencë dhe cilët janë disa nga emrat e artistëve?
Zefina Hasani: Ajo çfarë neve na mbushi zemrën plot, ishte numri i madh i pjesëmarrësve, pra i artistëve që aplikuan në ditët e caktuara për të sjellë krijimet e tyre. Ishin 85 krijime, të cilat hyjnë në një lloj analize të thellë e të gjatë të komisionit përzgjedhës të kualifikimit të këngëve pjesëmarrëse në Festival. Nga këto 85 materiale, ky komision, me votë unanime nxori 30 këngë fituese, që do të garojnë këtë vit në Festivalin e Këngës në RTSH.
Radio Kosova: Çfarë do të sjellë gjatë katër netëve Festivali i 63-të i Këngës në RTSH, përveç këngëve garuese?
Zefina Hasani: Do të jemi në katër net të festivalit dhe pa diskutim që fokusi kryesor është gara ndërmjet këtyre këngëtarëve, mes krijimeve të tyre, autorëve të teksteve. Por, edhe spektakli, sepse gjithmonë Festivali i RTSH-së, ndër vite e ka pasur shumë të rëndësishme edhe elementin e spektaklit. Nata e tretë do të jetë e kushtuar kryesisht tek rikthimi i këngëve të vjetra, rikthimi i nostalgjisë. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit do t’ia japim fokusin autorëve të teksteve. Pra, përzgjedhja e këngëve është bërë në bazë të teksteve, që kanë lënë shenjë në gjithë këto vite në historinë e Festivalit. Duke qenë se në këtë vit dhe vitet e fundit kemi humbur jo pak autorë tekstesh, poetë shumë të njohur në Shqipëri, duam që këtë natë t’ua kushtojmë atyre, atyre që kanë ikur, por edhe autorëve të teksteve që jetojnë ende dhe meritojnë një vlerësim të jashtëzakonshëm në këtë Festival, për gjithë poezinë e bukur që kanë sjellë ndër vite në Festivale.
Radio Kosova: A mund të na tregoni se kush do të jenë të ftuarit specialë gjatë netëve të Festivalit, por edhe në natën finale?
Zefina Hasani: Do të ketë të ftuar në katër netët. Sigurish që ndërsa ne prisnim ardhjen e këngëve që do të aplikonin, ekipi ynë ka punuar paralelisht për emrat që do të ftojmë, për performansat artistike. Jemi duke punuar për të sjellë edhe një spektakël shumë të mirë me të ftuar të veçantë, ndoshta edhe me të ftuar që kanë kohë që nuk janë ngjitur në atë skenë. Por, nuk mund të zbulojmë ende emrat në këto momente. Është shumë herët, nuk zbulojmë dot as të ftuarit e as moderatorët e Festivalit.
Radio Kosova: Kemi parë emrat që keni publikuar, të cilët do të marrin pjesë në garë. A mund të na flisni pak për këta emra, kompozitorët dhe autorët e teksteve?
Zefina Hasani: Emrat janë premtues, janë të grupmoshave të ndryshme, të stileve të ndryshme, që do të thotë se do t’ia japin një larmishmëri Festivalit, dhe kjo është ajo çfarë i duhet Festivalit. Mua si autore më ka entuziazmuar këngëtari korçar, Mihallaq Andrea, i cili ka guxuar në moshën që ka, të garojë. Për mua është shumë e rëndësishme kur edhe këngëtarë në moshë, vijnë dhe duan ta shijojnë garën e Festivalit krahas të tjerëve.
Radio Kosova: Po anëtarët e jurisë, a dihen ende emrat e atyre, që do të vlerësojnë këngët garuese?
Zefina Hasani: Jo, nuk themi dot emra. Unë e di shumë mirë këtë kuriozitetin, sepse jam gazetare vetë. Por, sidomos për emrat e jurisë ende nuk i kemi përcaktuar, sepse duam të jemi shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e tyre. Për hir të së vërtetës duhet ta lëmë sa më vonë përzgjedhjen e tyre, sepse edhe duam t’i shpëtojmë anëtarët e jurisë nga ky siklet që tani. Sigurisht që jemi duke lakuar emra dhe jemi duke diskutuar, por do të jetë pika më e fundit e vendimmarrjes.
Radio Kosova: Festivali i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, transmetohet drejtpërdrejt edhe në Radiotelevizionin e Kosovës. E tashmë edhe RTK është duke u përgatitur për Festivalin e dytë të Këngës.
Zefina Hasani: Po, një tjetër lajm i mirë. Unë jam gëzuar shumë që në edicionin e tij të parë, sepse Kosova e meritonte një festival të saj. Artistët nga Kosova për ne kanë qenë një vlerë e shtuar që në vitet e para të demokracisë. Mezi i prisnim artistët nga Kosova, sepse kishin një frymë tjetër, ishin simpatikë në skenë dhe i kanë dhënë shumë vlerë festivalit tonë. Është lajm shumë i mirë që po bëhet Festivali edhe në Kosovë dhe urojmë që artistët e Kosovës të mos largohen nga Festivali i Tiranës.
Radio Kosova: Përveç çmimit të madh që do të ndahet në natën finale, i cili do të fitojë edhe të drejtën të marrë pjesë në Eurovision, cilat janë disa nga çmimet e tjera që do të ndahen?
Zefina Hasani: As këtë nuk ua themi dot. Sigurisht do gjejmë mënyra për t’i vlerësuar artistët, sepse në momentin që ngjiten në atë skenë, kanë shumë për të dhënë për veten, por edhe Festivalit. Do të ketë çmime, por nuk i zbulojmë dot tani. Do të kemi edhe intervista të tjera. Me vjen keq që nuk dhashë shumë detaje nga ato që do të donit të dëgjonit, por le t’ia lëmë fuqinë lajmit për listën e këngëtarëve që kemi shpallur pjesëmarrës në garë.























