Minatorët sërish në telashe, për këtë muaj morën vetëm 51% të pagës
Edina Avdiu/RTK
Minatorët e Trepçës sërish janë në telashe. Ata për këtë muaj morën vetëm 51% të pagës mujore, ndonëse thonë se punën e kanë kryer me orar të plotë. Ndërsa, Menaxhmenti thotë se ekzekutimi i gjysmës së pagave ka ndodhur për arsye buxhetore, duke u zotuar se pjesa tjetër e pagës do të ekzekutohet shumë shpejt.
Minatorët në minierën e Trepçës, kanë vazhduar punën si zakonisht. Punën nuk e ndalën, por për 30 ditët e muajit shtator, mundi ju pagua përgjysmë. Minatorët e Trepçës të martën morën vetëm 51 përqind të pagës mujore.
"90 përqind jemi borxhe, jemi kredi. Si janë dalë, automatikisht banka i ka nalë. Këqyre bukën, për tre vet, me tre koleg të mi qita bukë e kemi,. Për qit pagë punojmë, edhe kjo mos me u ekzekutu, sot cila datë është i 8 apo in 9ti, vallahi tmerr është, është e tepërt", tha Miftar Mehmeti, minator.
Nga sindikata e minatorëve kërkuan që menaxhmenti të bëj menjëherë ekzekutimin e plotë të pagave.
"Shkelja e të drejtave elementare të minatorëve sic është e drejta në pagë, përkundër se para muaj më pare Qeveria e Reublikës së Kosovës ka ndarë një shumë prej 4 milion euro për ndërmarrjen Trepca Sh.A. dhe prodhimit enorm që kemi pasur në muajin shtator, është e papranueshme, fyese dhe kundërligjore. Cili është arsyetimi logjik i menaxhmentit, që përkundër këtyre të hyrave marramendese të mosekzekutohen pagat e minatorëve", thuhet në reagimin e sindikatës.
Nga menaxhmenti janë zotuar se ekzekutimi i pjesës tjetër të pagës do të bëhet shumë shpejt.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes Trepça, Faton Ahmeti, i ka thënë RTK-së përmes telefonit se ekzekutimi i gjysmës së pagave ka ndodhur për arsye buxhetore, ndërsa sipas tij, pjesa tjetër e pagës do të ekzekutohet brenda javës"
Më 27 gusht të këtij viti, menaxhmenti i Trepcës shpalli gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje publike me synim të rritjes së sasisë së koncentratit të humbur gjatë grevës. Ky vendim ua ka pezulluar punëtorëve pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor të këtij viti.























