Pula:Masat ndaj Serbisë kishin efektin për siguri dhe mbrojtje të shoqërisë
Valbona Thaçi / RTKlive
Qeveria e Kosovës ka ndërruar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdar, duke lejuar importet e të gjitha mallrave nga Serbia, nëpërmjet pikëkalimit në Merdar.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye sigurie, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe.
"Këto masa ishin si rezultat i shumë veprimeve nga Serbia e Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa sigurie në mënyrë që ti bëhet e ditur jo vetëm Serbisë por edhe akterëve të tjerë evropian dhe ndërkombëtar që detyrimisht duhet të mbrohet shteti, institucionet, e shoqëria në përgjithësi", tha Shqipërim Pula njohës i çështjeve politike në “Lajmet e Fundit” në RTK.
Sipas tij këto masa kanë pasur efektin e tyre në CEFTA që ditëve të fundit është bërë bujë e madhe nëse do marrim pjesë apo jo për shkak të vendosjes së këtyre masave të sigurisë.
Ai shtoi se kjo e ka ngjallur gatishmërinë për të bërë një mori bisedash në mënyrë që të kihet parasysh që nëse hiqen disa prej masave të sigurisë, atëherë të jemi të vëmendshëm se çfarë po hyn brenda territorit të Kosovës.
Prandaj theksoi ai se "insistimi i qeverisë për të pasur vëmendje se çfarë po hyn brenda Kosovës është krejtësisht legjitim për të mbrojtur shoqërinë dhe institucionet vitale të shtetit të Kosovës".
Ai tutje tha se akterët ndërkombëtar dhe evropian treguan trysni për të ndërmarrë veprimet që do ti tërhiqnin këto masa sigurie, por shtoi se duhet ta dinë që edhe shtetet e tyre do të vepronin njëjtë nëse do të rrezikohej siguria e vendit.
Pula shtoi se tërheqja e pjesërishme tregoi se qeveria në emër të Republikës dhe qytetarëve të saj nuk është se e dëmton të ardhmen në kuptimin e refuzimit për pjesëmarrje në CEFTA.
“Jemi ne ata që veprojmë në kuadër të bashkëpunimeve por gjithmonë duke treguar se identiteti ynë shtetëror, subjektiviteti ynë ndërkombëtar, duhet të respektohet edhe nga Serbia dhe të tjerët”, tha Pula.























