Kurti e ripërsëritë: Nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë me Serbinë
V.S|RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përsëritur se Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë, por ka masa të sigurisë për shkak se siç tha për 2 vjet Serbia ka sjellë 4 herë ushtrinë afër kufirit e për shkak se 4 herë është konfiskuar sasi enorme e armatimit në veri të Kosovës.
“Sot është një mbledhje e CEFTA-s që ka filluar ndërsa të hënën Samiti i Berlinit kur duhet të avancohet CEFTA në CRM. Natyrisht që ne nuk kemi mundur ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk i kemi marr skanerët. Çka kemi bërë ne është që kemi hapur një pikë të kufirit në Merdar për shkak q terminali doganor është vetëm 300 metra larg vendkalimit kufitar”, tha ai.
I pyetur nëse do të kërkojnë heqjen e masave nga Bruksel ndaj Kosovës tha se këtë e bëjnë vazhdimisht.
“Ne vazhdimisht kërkojmë heqjen e masave ndëshkuese që datojnë nga qershori i vitit të kaluar ato nuk kanë qenë të drejta asnjëherë e tash janë bërë edhe absurde. Joseph Borell në largim e sipër është ai që ka kërkuar që masat të hiqen, por këto nuk janë bërë ende. Ne presim që ato të hiqen një orë e më parë, duke qenë të bindur se është dashur të hiqen qysh dje”, tha Kurti.
Për aksionin në Ministrinë që drejtohet nga Liburn Aliu, ai tha se nuk mund të flas shumë kur në kushtet kur mungon informacioni.
“Ministria nuk është e Liburn Aliut, ai është vetë ministër i Ministrisë. E Ministria është në kuadër të Qeverisë, të gjithë këtu jemi shërbëtorë, asnjë pronarë”, tha ai.
Kryeministri në konferencën pas mbledhjes së qeverisë është pyetur edhe për përgjimet e pretenduara të cilat janë publikuar nga një media në Kosovë e ku pretendohet të jetë shefja e deputetëve të Vetëvendosjes Mimoza Kusari -Lila që bisedon me Milan Radoiçiq.
Ai këtë e quajti luftë hibride kundër Republikës, Qeverisë, Grupit Parlamentar të LVV-së dhe vetë shefes së këtij grupi.
“Ju porsa thatë që në këto momente paska pasur një publikim e në këto momente nuk kam si ta shoh as ta dëgjojë, por përshtypja ime është që tash do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikë së Kosovës në veçanti kundër Qeverisë së Kosovës, kundër grupit tonë parlamentar, kundër kryetares së grupit tonë. Nuk pres shumëçka të re prej atyre të vjetërve që natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasur sundim ligji, rend publik, kushtetutshmëri dhe integritet territorial, nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, theksoi kryeministri.























