Opozita lëshon sallën, s’ka debat për përgjimin Kusari-Lila -Radoiçiq
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Lajme

Opozita lëshon sallën, s’ka debat për përgjimin Kusari-Lila -Radoiçiq

V.Th & V.S/ RTKlive

Deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit pasi nuk u aprovua kërkesa e tyre për të debatuar rreth përgjimit në të cilën është përfshirë Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq. 50 vota ishin kundër dhe 34 pro votuan që ky debat të futej në rend dite.

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet për shkak të mungesës së kuorumit meqë sallën e lëshuan deputetët e të tria partive opozitare PDK-së, LDK-së e AAK-së në shenjë proteste që nuk u votua nga shumica parlamentare kërkesa e tyre për debat rreth audio-incizimeve të publikuara.

Kuorumi nuk arriti të bëhej për një deputet meqë në sallë ishin vetëm 60 nga pozita e grupi multietik.

Kryetari, Glauk Konjufca tha se do të shohin javën e ardhme se si do të procedohet tutje.

Nis seanca e Kuvendit, debatohet për përgjimet

 Ka nisur Seanca e Kuvendit e thirrur në fillim javës ku ishte paraparë seancë për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara. Por seanca nisi me debat për përgjimet e publikuara ku është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit Milan Radoiçiq.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që seanca e sotme e Kuvendit t’i kushtohet përgjimit në të cilin është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit Milan Radoiçiq.

Tahiri ka thënë se nuk do të bashkëpunojnë e as nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtarë, përderisa Kusari-Lila do të vazhdojë të jetë si shefe e GP të LVV-së.

“Nuk do të bashkëpunojmë, nuk do të votojmë marrëveshje ndërkombëtare as çështje të tjera përderisa e keni në krye të grupit një person që e ka kontaminuar këtë Kuvend”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kërkuar që debati për çështjen e përgjimit të vendoset në rend dite pa procedura, të cilën e ka konsideruar të pamundur, kryeparlamentari Glauk Konjufca

Kurse, shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur këto pretendime si "shpifje dhe fabrikim".

“Për keqardhje është të dëgjosh në Kuvendin e Kosovës jo vetëm shpifje, fabrikim, por edhe nxitje e cytje për urrejtje e linçim. Një ose dy argumente kryesore Abelard, në asnjë formë nuk po mundeni me i pasqyruar edhe me atribuuar bashkëpunimin e juaj me Listën Serbe e me i barazuar, prandaj po duheni me shkuar me shpifje. Aq shumë po ju mungojnë, se s’janë prezentë që 28 muaj, Lista Serbe nuk është në Kuvend. Në pamundësi për me i pasur ata, me iu ndihmuar, duheni me fabrikuar. Thirrni bashkëpunëtorët, bashkëpronarët e Milan Radoiçiq për me iu fabrikuar material. A e dini ju që Slavko është i përndjekur prej Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila, duke iu drejtuar opozitës pas kritikave të shumta ndaj saj, ka paralajmëruar se mund të dalin fotografi nga përurimi i shtëpisë së terroristit Milan Radoiçiq e dhurata për fëmijët e tij nga zyrtarë e mëhershëm në Qeverinë e Kosovës.

“Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit. Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës. Imagjinoni kur dalin kush e ka vizitu e kush ka pas biznese. Juve po ju them votimi në lexim të parë i Ligjit për Pagën Minimale ka ndodhë në maj të vitit 2022. Ju keni dalë jashtë, Lista Serbe ka hy brenda. Pyetja e vetme që ju kam bë Listës Serbe është pse jeni këtu”, ka thënë ajo.

Gjatë fjalimit te deputetes Mimoza Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës, deputeti Haki Abazi ka rrethuar foltoren me shirita që përdoren zakonisht nga Policia.

Ky veprim vjen pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku subjekt është shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristi serb, Milan Radoiçiq.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se është për keqardhje se ku ka mbërri debati publik në Kosovë.

“Debati publik ka mbërri në pikën e degjenerimit të vet se sa është i përfshirë terroristi Milan Radioçiqi në qeverinë dhe parlamentin e Kosovës. Kjo është fatkeqësi për Kosovën e cila e dëmton sakrificën e secilit qytetarë të Kosovës dhe besimin e secilit qytetarë. Sot çka po dëgjojmë këtu dhe ajo çka pamë dje është në vazhdën e logjikës të cilën Lëvizja Vetëvendosje. E ka ndërtua si logjikën e përbaltjes duke qenë vetë e zhytur deri në fyt më kriminelët si Milan Radoiçiqi. Ky është tmerri i demokracisë në Kosovë dhe tmerri i përfaqësimit të Kosovës”, ka theksuar Gashi.

Ai pyeti se çka përfaqësojnë deputetët kur kryetarja e tyre e grupit parlamentar del akuzon në të gjitha anët dhe këta entuziazmohen.

“Çka është ky entuziazëm, kush po gëzohet, për çka po gëzohet?, po gëzoheni se kush është më tradhtar se tjetri, po gëzoheni se kush i ka shërbye Serbisë më shumë se tjetri, çka po gëzoheni?, çka po duartrokitni”, ka theksuar Gashi.

Gashi tha se Radoçiq është një terrorist i cili ka kryer akt terrorist ndaj shtetit të Kosovës, ka vra një policë të Kosovës.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në Kuvendin e Kosovës ka një kërkesë konkrete e cila obligon deputetët e zgjedhur të popullit të Kosovës të ballafaqohen me Qeverinë.

 “Na obligon që të kërkojmë një transparencë rreth një përgjimi që shpërfaqi në publik çështje që meritojnë përgjigje në këtë kuvend. Ky kuvend, qytetarët e Kosovës meritojnë dhe duhet ta dinë për çfarë kushtesh është negociuar me kriminelin, krye-terroristin, ndaj njeriut që është në listën e zezë të SHBA dhe ndaj personit që akuzohet nga institucionet tona të drejtësisë si udhëheqës i sulmit terrorist në banjë. Qytetarët duhet të informohen”, ka thënë ai.

Sipas tij, aty nuk flitet për çështje që trajtohen në kuvend në raport me dy të tretat, aty diskutohet për një ligj i cili prekë secilin njeri të këtij vendi, për pagën minimale dhe shihet qartë se aty ka qenë një pazar rreth largimit të vlerës tonë më të madhe, UÇK-së.

“Ne duhet ta dimë e ta kemi transparencën në këtë Kuvend se ky koordinim është thikë pas shpine ndaj demokracisë në Kosovë, pse po e them këtë. Po e them sepse që nga nisja e kësaj legjislature neve na është thënë se nuk ka koalicion me Listën Serbe e nuk ka asnjë marrëveshje me ta. Përgjimet i pari dhe i dyti vërtetojnë se një marrëveshje kundër vlerave që lidhen drejtpërdrejt me të mirën publike e të qytetarëve , ka ndodhur. E kjo duhet të debatohet këtu. Kjo qeveri nuk ka etikë politike po të kishte do të duhej të flisnim se pse sot Ushtria e Kosovës është pa ushqim. Po të kishte etikë do të duhej të dorëhiqet dikush. Ne po kërkojmë ballafaqim, transparencë. Mashtrimi luftohet me të vërtetën”, ka deklaruar ai.

Deputeti i pavarur, Haki Abazi ka theksuar se deputetët e partisë në pushtet nuk kanë fytyrë të kërkojnë vota.

“Nuk e di a më ka ndejt më mirë ndonjëherë përshkrimi-mbiemri i pavarur. Nuk kisha dashur për asnjë sekondë t’i takojë një grupit parlamentar si që është ky (Lëvizja Vetëvendosje), për të cilin kam thënë para dy viteve që janë pazaret e pista për të hapur pompat të benzinës për të futur familjarë në punë, për të futur njerëz të afërt nëpër Gjykata Kushtetuese, për t’i bërë anëtarë të bordeve e të drejtorëve për interesa të vogla të cilat LVV ka kritikuar pushtetet e kaluara”, ka deklaruar Abazi. 


MË SHUME NGA Lajme