Zogoviq: Kosova, pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimshëm
BKT
Lajme

Zogoviq: Kosova, pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimshëm

Sh.Ç/RTKlive

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Milun Zogoviq, ka thënë se qëndrimi i tij për Kosovën nuk ka ndryshuar pasi është bërë pjesë e qeverisë. Ai ka thënë se vazhdon ta konsiderojë Kosovën “krahinë jugore të Serbisë”, raporton media e Malit të Zi, “A Plus”.

“Sa u përket obligimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por opinioni im është se Kosova është pjesë e Serbisë, e shkëputur qëllimisht. E kam shprehur këtë qëndrim edhe në Parlament, pak ditë para se t’i bashkohesha Qeverisë. Asgjë s’ka ndryshuar për mua”, ka thënë Zogoviq.

Duke komentuar deklaratat e bëra në konferencën në Tivar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Zogoviq, ka thënë se një pjesë e argumentit për Kosovën, që ka të bëjë me Malin e Zi, është e pashmangshme, raporton 'A Plus'.

Ai ka kundërshtuar deklaratat se çka do që del nga Beogradi është e gabuar. Sipas tij, krejt kjo narrativë është “çështje e të shkuarës dhe e bazuar në platformën anti-Serbi”.

Zogoviq ka thënë se Mali i Zi duhet të ruajë raportet me Serbinë dhe të shmanget retorika nxitëse.

Qeveria e Malit të Zi u rikonstruktua më 23 korrik, dhjetë muaj pas formimit nga kryeministri Milojko Spajiq. Ajo tani ka 26 ministri dhe është më e madhja në histori të shtetit. 

 


MË SHUME NGA Lajme