Rakiq dyshohet se është sulmuar pas mesnatës para banesës së tij |VIDEO
Edina Avdiu / RTK
Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe, dyshohet se është sulmuar mbrëmë nga njerëzit e tij.
Kështu është raportuar sot në mediat e Kosovës. Në spitalin ku raportohet se ka marrë trajtim, për RTK-në nuk kanë deklaruar asgjë. Nga policia kanë thënë se një rast i sulmit nuk është raportuar.
Ish-kryetari i Listës Serbe, tani deputet në Parlamentin e Serbisë, Goran Rakiq, raportohet nga mediat e Kosovës, se është sulmuar brutalisht në veri pas mesnatës të së dielës.
"Sulmi brutal ndaj Goran Rakiq dyshohet se ka ndodhur pikërisht në rrugën Sutjeska në veri të Mitrovicës, në orët e para të mëngjesit të së dielës"
Rasti nuk është raportuar në Policinë e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për RTK-në se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë.
Pavarësisht insistimit të televizionit për të marrë informacion nga Spitali në veri të Mitrovicës, askush nuk ka konfirmuar nëse Rakiq është trajtuar mbrëmë në këtë spital.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe eksperti i sigurisë, Agim Musliu në rrjetin social X.
Ai ka thënë se Rakiq është rrahur nga miqtë e tij dhe se po trajtohej në fshehtësi.
Musliu tutje tha se do të bëhen përpjekje që sulmi të paraqitet si sulm i shqiptarëve ndaj Rakiqit.
“Ish-kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq, është rrahur mbrëmë në Mitrovicë, në pjesën veriore me shumicë serbe. Ndonëse ishte rrahur nga miqtë e tij, kriminelët dhe terroristët e Vuçiqit dhe Radoiçiqit, ai trajtohej në fshehtësi. Me siguri ky rast do të paraqitej si sulm i shqiptarëve duke përhapur dezinformata kudo”, ka shkruar Musliu.
RTK ka provuar të kontaktojë edhe ish-kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, për të konfirmuar sulmin ndaj tij, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit gjatë ditës.























