Lindja e Mesme, analistët: Frikë nga eskalimi i konfliktit
E. Hoti / RTKlive
Analistët Nuri Bexheti, Melazim Koci dhe Besfort Rrecaj në emisionin “Voyage” të RTK-së, për konfliktin Izrael - Iran thanë se ka rrezik të eskalojë. Sipas tyre ky konflikt nuk ka karakter religjioz, por për më tepër është përplasje e qytetërimeve, me synim pengimin e ndikimit të Perëndimit në Lindjen e Mesme dhe eleminimin e shtetit izraelit.
Nuri Bexheti, historian, tha se konflikti Izrael-Iran sot nuk është konflikt religjioz, por ka elemente të forta edhe religjioze, historike, e mbi të gjitha interesa të thella politike dhe ekonomike.
“Rrugët e botës kalojnë aty dhe ka edhe përplasje të ideologjive dhe civilizimeve. Izraeli është shtet me rregullim të shoqërisë liberale demokratike, me parlament të zgjedhur, pra ka një profil perëndimor të të menduarit”, tha ai.
Bexheti tha se Izraeli ka bërë dy kompromise të mëdha për tokë dhe se sipas tij nuk ka më tokë për të ndarë.“Kompromisin e madh e ka bërë me Egjiptin dhe me Jordaninë. Armiq fizik i ka Sirinë më të cilën luftërat pothuajse asnjëherë nuk janë ndalur dhe Libanin me të cilin e ka problemin aktual. Kjo është rezymeja se nuk ka tokë për të ndarë”, tha ai tutje.
Ndërsa, Melazim Koci, analist, tha se në aspektin rajonal problem është raporti Izrael- Iran. “Pas ardhjes së Ajatollah Homeinit në pushtet, Irani themeloi Hezbollahun dhe Hamasin.Hesbollahu ka arritur t’i ketë 100 mijë luftëtarë në Liban. Është shtet brenda shtetit. Ata kanë edhe krahun politik, janë të përfaqësuar në parlament, kanë në terren 100 mijë ushtarë, ndërkaq që ushtria libaneze ka vetëm 70 mijë. Do të thotë se Hezbollahu e ka në dorë Libanin”, tha ai .
Gjatë këtij emisioni, ai tha se Hezbollahu është themeluar me synimin e dëbimit të ndikimit perëndimor në Lindjen e Mesme dhe se në programin e tij është eliminimi i shtetit izraelit.“Me ngritjen e Hezbollahut në kufijtë e Izraelit, Irani ka ngritur një ushtri të tërë e cila supozohet se ka 150 mijë raketa balistike dhe normalisht ky është një rrezik ekzistencial për Izraelin. Hezbullahu ka ekskluzivisht mbështetjen e Iranit, ka edhe përkrahjen e Rusisë dhe Kinës”, tha ai.
Tutje Koci tha se Izraeli e konsideron kërcim praninë Hezbollahut dhe të Hamasit.Ai tha se Izraeli supozon se nëse goditet regjimi i Ajetullahëve në Iran,do të kenë marrëdhënie të shkëlqyeshme me popullin e Iranit. Ai tutje theksoi se synimi i dytë i Izraelit është goditja e programeve bërthamore dhe rafinerive të naftës pasi që gjatë viteve të fundit Irani ka furnizuar Rusinë më dronë e municione.
Ndërkaq, Besfort Rrecaj, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare deklaroi se Izraeli e ka dobësuar fillimisht Hamasin, e tani po merret edhe me Hesbollahun ”Pas sulmit të befasishëm ndaj civilëve i gjithë perëndimi dhe OKB i kundërshtuan ato veprime dhe rrjedhimisht Izraeli e ka të drejtën për vetëmbrojtje dhe marrjen e të gjitha masave për ruajtjen e ekzistencës si shtet”, tha ai.
E duke folur për rrezikun që ky konflikt të eskalojë në një konflikt rajonal dhe botëror, Rrecaj theksoi se tashmë ekziston një konflikt që po zgjatet.“Më shumë kemi përkrahje nga Irani për Rusinë sesa Rusia për të pasi ajo ka hyrë në një luftë që nuk është parë më që nga Lufta e Parë Botërore. Po të kishte pasur mundësi Rusia deri më tani do ta ndizte shumë më herët luftën në Lindjen e Mesme që ta bënte luftë globale. Sa i përket Kinës, ajo ka qasje bukur të matur”, shtoi ai.
Tutje, Rrecaj potencoi se Irani e ka marrë mesazhin e mirë në dy raste edhe pse sipas tij duket shumë rezistent .“Herën e parë kur i lëshoi rreth 300 projektil kundër Izraelit dhe 99 për qind e tyre u rrëzuan në ajër nga mbrojtja. Aty kanë qenë të involvuara përveç Izraelit edhe Arabia Saudite, Jordania, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar”, nënvizoi Rrecaj.























