Hoti: Serbia nuk mund ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në BE |VIDEO
V.Thaçi / RTKlive
Për samitin e Procesit të Berlinit po u mbajt në kryeqytetin gjerman, ka folur në “Info Plus”, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti. Ai foli për marrëveshjet e arritura ndër vite dhe marrëveshjet e arritura sot në Berlin.
Profesori Hoti ka thënë se lajm i mirë i Procesit të Berlinit është pjesëmarrja e kryeministrit Kurti, sepse sipas tij deri para disa ditësh Kosova ka qenë e atakuar nga vet diplomacia gjermane që ‘nëse Kosova nuk kryen detyrat e veta do të mbetej jashtë këtij procesi dhe kjo pastaj do të ishte situatë për keqardhje’.
Kurti mori pjesë i barabartë me të gjithë kryeministrat tjerë dhe me të gjitha qeveritë tjera dhe se kjo është një sinjal dhe tregues i qartë që ka vetëm një rrugë për të ecë përpara dhe ajo rrugë është respektimi i marrëveshjeve”, ka theksuar Hoti.
Profesori Hoti ka thënë se Serbia nuk mund ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian sepse edhe ajo është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe synon të jetë pjesë e BE-së.
“Nuk varet nga Serbia, po varet nga shtet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndërkohë në proces të Berlinit është e paraparë të përshpejtohen integrimet në BE”, ka thënë Hoti.
Ai ka folur edhe për pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, njohja do të bëhej kur do të jetë njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Këto vende po e presin epilogun për të cilin Bashkimi Evropian tash e sa kohë po trumbeton, bazuar në marrëveshjet e arritura që këto shtete të arrin një ujdi dhe të fillojnë zbatimin e tyre në mënyrë që përfundimisht të marrin njohjen edhe nga to”, ka theksuar ai.























