Kurti takon ministrin e jashtëm të Italisë, kërkon heqjen e masave nga BE
M.P. / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani gjatë Samitit të Berlinit.
Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Tajani dhe shtetin italian për përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
"Ne e shohim Italinë në thelb të BE-së dhe NATO-s dhe si një prej aleatëve kryesorë të Ballkanit Perëndimor", u shpreh kryeministri në fillim të takimit.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë takimit u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke përfshirë organizimin e një forumi biznesor për më shumë ndërveprim mes kompanive të të dyja vendeve.
“Përgjatë takimit kryeministri nënvizoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat, tashmë që po bëhen pothuajse dy vjet nga aplikimi për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, i shprehu mirënjohjen ministrit Tajani për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në këtë rrugëtim”, vazhdon njoftimi
Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi nevojën për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për të cilat edhe Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka konstatuar se kushtet janë përmbushur e masat duhet të hiqen.























