Fillon sot Simpoziumi dhe Festivali i 13 i Poezisë
K. Kasumi / RTKlive
Simpoziumi dhe Festivali i 13 Ndërkombëtar i Poezisë, i cili nis sot më 15 tetor dhe përfundon më 19 tetor në Prishtinë, do të mbledhë krijues të ndryshëm, të cilët do të diskutojnë për letërsinë dhe filmin dhe do të lexojnë poezi dhe promovojnë libra.
Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, bëri me dije se romani “Prilli i thyer” i Kadaresë është bërë film në Francë dhe Meksikë, mirëpo si film ka pasur më shumë sukses sepse, sipas tij, Meksika dhe shqiptarët e kanë njëfarë tradite të njëjtë.
Reshitaj në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” tha se “Unionit të Shkrimtarëve i intereson më tepër që letërsia shqiptare të depërtojë në vendet e tjera e në gjuhë të tjera siç kemi përkthyer deri më tani më shumë se 120 autorë shqiptarë të të gjitha trojeve shqiptare”.
“Sivjet kemi temën ‘Letërsia dhe filmi’, romanet të cilat janë bërë film. Ta zëmë, ‘Prilli i thyer’ i Ismail Kadaresë është bërë film, ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ është bërë film, ku kanë luajtur shumë aktorë të njohur të Francës, mirëpo ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ si roman është shumë i mirë, por si film ka dështuar në Francë”, tha ai.
“Edhe ‘Prilli i thyer’ është bërë film. Kam luajtur edhe unë aty në ’86-n, por edhe ky ka dështuar, por kur është bërë film në Meksikë ka qenë shumë më i mirë se në Francë, sepse Meksika dhe shqiptarët e kanë njëfarë tradite të njëjtë. Kjo temë trajtohet në simpozium. Po ashtu, secili prej krijuesve do të kenë kumtesa që janë të lidhura me filmin dhe letërsinë”, shtoi Reshitaj.
Ndërkaq Dinos Koubatis, shkrimtar nga Greqia, tha se “shumë vështirë të bëhet një film në bazë të romanit sepse prej qindrave faqeve duhet të bësh një film”. “Është shumë e vështirë për regjisorin, për ata që e adaptojnë një roman film. Në film të gjitha ato që janë në roman nuk mund t'i shpalosësh. Sentimentet dhe të gjitha ato që i gjen në roman, nuk mund t’i gjejmë në film, dhe nganjëherë regjisori e tradhton shkrimtarin sepse nuk mund ta bëjë ashtu siç është aty”, tha Koubatis.
Në Simpoziumin dhe Festivalin e 13 Ndërkombëtar të Poezisë kanë aplikuar mbi 135 poetë me poezi, por do të lexojnë 65 krijues, shkrimtarë nga Ukraina, Franca, Greqia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Medvegja. Ata do të lexojnë poezi në Institutin Albanologjik, ku do të mbahet ky simpozium.























