Kurti thekson rëndësinë e kujdesit shëndetësor ndaj kancerit të gjirit
BKT
Lajme

Kurti thekson rëndësinë e kujdesit shëndetësor ndaj kancerit të gjirit

Valjeta Shala | RTK

(E plotësuar, 14:30) Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është mbijetesë. Kështu u tha në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me OJQ-në Jeta/Vita, ku u theksua rëndësia e kujdesit shëndetësor ndaj kancerit të gjirit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në trajtimin e kësaj sëmundjeje, qeveria ka ofruar mbështetje të pa kursyer.

“Brenda këtij muaji pritet të hyjnë në fuqi rregullorja e re për çmimet e shërbimeve shëndetësore ku mamografia do të ofrohet falas në çdo kohë. Ky vendim vjen në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe është tregues i përkushtimit tonë për mbrojtjen e shëndetit të popullatës tonë", tha Kurti.

E ministrja Arbëria Nagavci theksoi se institucionet edukative janë forumet themelore ku zhvillohet ndërgjegjësimi për shëndetin.

“Shëndeti si koncept ngërthen shumë aspekte si fizik, mendor dhe riprodhues. Andaj, në këtë mandat në ministrinë e Arsimit i kemi kushtuar shumë kujdes të veçantë në shumë dimensione", tha ajo.

E mbijetuara e kancerit të gjirit, Lafije Latifi, njëherësh drejtoreshë e organizatës “Jeta-Vita”  bëri thirrje të gjitha vajzave dhe grave për më shumë kujdes rreth shëndetit të tyre.

“Keni kujdes për shëndetin tuaj dhe të familjarëve, bëni vet-kontrolle dhe kontrolle të rregullta mjekësore, ultrazë dhe mamografi, pasi zbulimi i hershëm është mbijetesë", tha Latifi.

Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit është kyç për trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje.


MË SHUME NGA Lajme