Opozita kritikon pushtetin për ikje nga përgjegjësia
BKT
Foto: Edona Podvorica / RTK
Lajme

Opozita kritikon pushtetin për ikje nga përgjegjësia

B. H. | RTK

Sot është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga 41 deputetë të opozitës. Në fillim të seancës deputetët mbajtën një minutë heshtje për nder të gjeneralit të parë të KFOR-it, Mike Jackson.

Në këtë seancë u diskutua mbi borxhet e kompanive ambalazhuese të ujit si dhe publikimet e mesazheve që pretendohet të jenë bisedat ndërmjet koordinatores së komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Në këtë seancë munguan deputetët e pushtetit. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar partinë në pushtet për sabotim të punës së Kuvendit.

“Më 23 prill të këtij viti kemi kërkuar që të themelohet një komision hetimor për çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, e duke iu shmangur kësaj, mazhoranca na sjell deri në këtë moment. Përsëri kemi sabotim dhe ikje nga përgjegjësia. Drejtësia dhe institucionet shtetërore kanë marrë hapa konkretë për zbardhjen e kësaj afere. Arsyeja e kërkesës sonë është transparenca dhe e vërteta. Kërkojmë nga Qeveria t’i marrë të mirëqena dhe si demokratike e ligjore kërkesat tona”, tha Shala.Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili është paraqitur në foltore me kapelë, si shenjë aksioni të këtij subjekti ndaj bisedave që u publikuan mes Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, kritikoi transmetuesin publik që seancën e Kuvendit është duke e transmetuar në RTK 3 e jo në RTK 1.

Tahiri për këtë ka akuzuar partinë në pushtet. “Ky është krim dhe kjo është një tendencë me mbyt zërin opozitar dhe ata të cilët i denoncojnë krimet”, tha ai.

Ndërkaq, deputetët e tjerë të PDK-së kanë vendosur kapela të zeza në mikrofonat e deputetëve të LVV-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, kritikoi partinë në pushtet se po i ikë përgjegjësisë ndaj qytetarit, edhe pse sipas tij kishte premtuar qeveri me duar të pastra. “Kjo qeveri veç duar të pastra nuk ka. I ka zhytur thellë në korrupsion”, tha ai.

Sipas tij pushtetarët që u premtuan qytetarëve parajsë përfunduan duke i varfëruar ata. Zemaj ka thënë se LDK-ja do t’i përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë, që sipas tij, “t’i zbardhë te gjitha rastet e korrupsionit të qeverisë”.

Kritika ndaj pushtetit pati edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. Ai ka deklaruar se strukturat joformale parapolitike janë vendimmarrëse në Qeverinë Kurti.

Ai tutje tha se është me rëndësi të diskutohet për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve, teksa ka akuzuar mazhorancën se në mungesë të argumente nuk po del në Kuvend për t’u ballafaquar.


MË SHUME NGA Lajme