Kurti: Gjenerali Jackson ka hyrë në historinë moderne të Kosovës
E.Hoti RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjenerali, Mike Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Ai tha se jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku.
Në një postim në Facebook, i pari i qeverisë theksoi se Jackson nuk ishte i pranishëm në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës pikërisht për shkak të shëndetit.
“Shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë. Gjeneral Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Kurti në Facebook .
Tutje, Kurti tha se populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit.























