Aktakuzë ndaj tre personave për cenim të drejtave të punësimit në `Trepçë`
BKT
Lajme

Aktakuzë ndaj tre personave për cenim të drejtave të punësimit në `Trepçë`

E. Hoti RTKlive

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve A.H.,E.M., dhe B.A., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë“.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit akuzohen se në janar të vitit 2020, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëtorëve të minierës Trepça SH.A., në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke mos përfillur procedurat e rekrutimit të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ të MPMS lidhur me rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

“Të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me njëzet pikë siç rregullohet në udhëzim administrativ, në rastin konkret të pandehurit i kanë vlerësuar kandidatët me nga njëzetepesë pikë për pyetje në total me mbi njëqind deri treqind pikë, duke i sistemuar në vende pune dhe themeluar marrëdhënie të punës me shtatë persona, dhe me këtë veprim kandidatëve tjerë u ka mohuar të drejtën për punësim dhe kushte të njëjta ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet nga  Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, të pandehurit A.H., E.M., dheB.A., kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë.

Tutje theksohet se Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t`i shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe t`i dënojë sipas ligjit.


MË SHUME NGA Lajme