Deputetët e opozitës te RTK: Seanca nuk u transmetua në programin qendror
BKT
Lajme

Deputetët e opozitës te RTK: Seanca nuk u transmetua në programin qendror

B. H. | RTKlive

Deputetët e partive opozitare kanë mbajtur një konferencë për media para objektit të Radiotelevizionit të Kosovës në shenjë pakënaqësie për, siç kanë thënë, mostransmetimin e drejtpërdrejtë të seancës së sotme të Kuvendit në RTK 1, por në RTK 3.

“Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë. E zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo”, tha Tahiri. Ai u bëri thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të bordit të japin dorëheqje nga këto pozita.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se kjo situatë duhet të ndalohet pasi demokracia s’mund të mbytet.

“Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK-së, që nënkupton mbytje e zërit të deputetit dhe fshehje nga e vërteta. Ky reagim i yni është thirrje për qytetarët dhe punëtorët që janë pas nesh. Nëse dikush mendon dhe logjikon të udhëheqë me parapolitikën, kjo i takon kohës kur regjimi serb i ka mbyllur dyert e përfaqësuesve shqiptarë në mediumin e atëhershëm RTP. Ky është reagim publik, është reagim mbi atë që të mbrohen këto vlerat dhe i bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë mendje të shëndoshë që kjo mënyrë se si performon qeveria me parapolitikën duhet të ndërpritet. 9 shkurt i largët kur do ta marrin çmimin për atë që ia kanë bërë qytetarit”, tha Zemaj.

Në të njëjtën linjë ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai tha se RTK-ja është institucion i themeluar nga Kuvendi dhe e ka obligim ligjor t’i transmetojë seancat e Kuvendit.

“Institucioni që po shihet mbrapa është themeluar nga Kuvendi dhe ky institucion i jep llogari deputetëve. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor e kushtetues, të cilat duhet t’i përmbushë ky institucion, t’i transmetojë mesazhet e përfaqësueseve të popullit, për shkak se deputetët janë të përzgjedhurit e popullit dhe mesazhi kalon tek ta vetëm përmes këtij institucioni”, tha ai.

Deputetët e opozitës krahas deklarimit për media vendosën edhe disa kapela në hyrje të objektit të RTK-së.


MË SHUME NGA Lajme