PDK: Dëshmitë flasin për përfshirje të zyrtarëve në afera korruptive
N.M. /RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës, njofton se ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.
Bëhet e ditur se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dëshmitë e publikuara që konfirmojnë përfshirjen e zyrtarëve të shumtë shtetërorë në afera të mëdha keqpërdorimesh dhe skandale të tjera, sipas tij, janë alarmante dhe kërkojnë adresim nga institucionet përkatëse.
“Ai tha se këto ngjarje shqetësuese jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë në institucione dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Anëtarët e Kryesisë vlerësuan angazhimin e deputetëve të PDK-së, që me përkushtim janë përpjekur dhe kanë alarmuar me kohë opinionin publik në Kosovë për të gjitha skandalet e qeverisë aktuale duke iniciuar edhe komisione hetimore parlamentare, por të cilat në vazhdimësi janë penguar së funsionuari nga mazhoranca”, njofton zyra për informim e kësaj parti.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për, siç thuhet në njoftim, “censurën nga Radio Televizioni Publik i Kosovës", i cili sipas PDK-së, "pas shumë skandaleve sot ka ndaluar transmetimin e seancës parlamentare të iniciuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së".
Po ashtu, anëtarët e Kryesisë theksuan se gjatë gjithë mandatit të qeverisë aktuale, veçanërisht në javën e kaluar, si rritja numrit të skandaleve, si ajo e aferës me ambalazhuesit e ujit zbuloi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, publikimi i mesazheve të Dejona Mihalit me kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi, si dhe, sipas PDK-së, skandali tjetër i komunikimit të Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila me kryekriminelin serb, Milan Radoiçiq, “dëshmoi po ashtu, përfshirjen direkte të pushtetit për t’i lënë veteranët e UÇK-së jashtë ligjit për pagën minimale”, thuhet në njoftimin e kësaj partie
“Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që asnjë nga këto afera të mos kalojë pa adresuar, pavarësisht ritmit të shpejtë me të cilin po shfaqen”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
PDK thotë se i bënë thirrje institucioneve përkatëse hetimore dhe gjyqësore që profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme të trajtojnë këto raste, “të cilat rikonfirmojnë qartë korrupsionin e përhapur qeveritar, keqpërdorimin e detyrave zyrtare dhe dëmtimin e interesave shtetërore të Kosovës”.























