IKD: Deputetët e Vetëvendosjes shkelën Kushtetutën
E. Hoti / RTKlive
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën duke bojkotuar tre seancat e jashtëzakonshme, për tema me interes publik për qytetarët të thirrura nga opozita.
Deputetët e pozitës bojkotuan debatin parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari - Lila, me Milan Radojiçiq,debatin parlamentar për mungesën e ushqimit në FSK dhe debatin për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
IKD thotë se përkundër interesit publik për debat parlamentar për çështjet e lartpërmendura, shumica parlamentare, e përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, pa asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm.
Sipas tyre ky bojkot përbën një shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputet të Kuvendit të Kosovës dhe si partia më e madhe parlamentare.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues. Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës. IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Tutje IKD thekson se deputeti ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin, të cilat përbëjnë bazën e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ky obligim e vendos atë në një rol të rëndësishëm, ku veprimet dhe vendimet e tij duhet të reflektojnë vlerat dhe parimet e shtetit ligjor.
“Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse. Pavarësisht përkatësisë partiake deputetet duhet të ruajnë dhe promovojnë vlerat bazë të garantuara më Kushtetutën e Kosovës. Deputetët duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe qeverisjes se mirë. Bojkotimi i deputetëve për çështje ku kërkohet llogaridhënie dhe rezultate ndaj fenomeneve të korrupsionit qeveritar, ruajtjen e integritetit të institucioneve publike dhe sqarimit të situatave ku deputetë të Kuvendit të Kosovës komunikojnë me persona në kërkim ndërkombëtar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, ulin besimin e publikut në vullnetin politik për shtet ligjor dhe luftim te korrupsionit. Kjo qasje padyshim se pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Po ashtu, IKD shpreh shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme”,thuhet tutje në reagimin e IKD-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë thirrje që të gjitha partitë politike, pa dallim, të përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vlerave demokratike që Republika e Kosovës i ka marr përsipër në rrugën e saj drejtë integrimit evropian.























