Haxhiu: UNMIK-u dhe EULEX-i nuk i kanë adresuar si duhet krimet e luftës
E. Hoti / RTKlive
Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për dhunën seksuale në konflikt, u tha se pas luftës ka munguar aspekti psiko-social i trajtimit ku një e mbijetuar e dhunës seksuale e ka pasur të vështirë të mbijetojë. Gjithashtu u tha se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës.
Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk i kanë trajtuar siç duhet krimet e luftës. Sipas saj ,atyre ju ka munguar vullneti, madje ka konsideruar që një gjë e tillë ka qenë edhe politike.
“Edhe reforma në drejtësi dhe përgjegjësitë tjera që i ka Ministria e Drejtësisë nuk kanë qenë aq të vështira sa ka qenë strategjia për drejtësinë tranzicionale.Pra, Kosova për herë të parë ka nisur punën në këtë drejtim.Vonë e dimë që është vonë.Pra, tani jemi 25 vite pas përfundimit të luftës,por në atë kohë kur ne e kemi nisur punën ka qenë diku 23 vite pas. Është dashur shumë më herët të punohet në këtë drejtim, por duket se ka munguar vullneti për t’i adresuar përgjegjësitë institucionale. Dhe kur jemi te institucionet dhe te adresimi i krimeve të luftës, unë kamë thënë edhe më herët dhe mendoj që as UNMIK-u, e as EULEX-i nuk i kanë adresuar siç duhet krimet e luftës.Edhe atyre ju ka munguar vullneti, madje konsideroj që ka qenë edhe politike”.
“Viktimat kanë dhënë dëshmi, ku janë ato, nuk ka dhënë askush përgjegjësi për këtë.Ne nuk mundemi ta ndërrojmë historinë, është proces i ndjeshëm. Gjatë këtyre dyviteve kemi pasur takime të shumta me viktimat e dhunës seksuale “, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së ka theksuar se ka munguar aspekti psiko-social i trajtimit të një të mbijetuare të dhunës seksuale.
“Shpiti i tyre nuk gjen qetësi pa drejtësi, krimi i dhunës seksuale e ka realisht të vështirë qasjen në drejtësi. Periudha e pasluftës ka qenë një periudhë fragjile ku shumë të mbijetuara të dhunës seksuale kanë besuar në administratën ndërkombëtare të OKB-së të vendosur në Kosovë dhe një ndër to është edhe zonja Krasniqi Godman e cila që ka vënë Zoran Vukotiqin para grillave dhe kanë dëshmuar në atë kohë pran organeve të OKB-së të cilat merreshin me krime lufte. Fatkeqësisht në atë kohë ka munguar aspekti psikosocial i trajtimit Një e mbijetuar e dhunës seksuale pa pasur përkrahje sociale, pa pasur një mendje të përmbledhur rreth krejt rrëfimit të ngjarjes së trishtuar, është e vështirë të dëshmojë. Ndërlidhur këtu pastaj edhe faktori i linjës ligjore që nuk i është ofruar dhe nuk i kanë përkrahur ato, përkthimi dhe shumë elemente tjera”, tha Rushiti.
Kurse, Drita Hajdari, ish-prokurore speciale në Departamentin e Krimeve të Luftës, tha se që nga viti 2016 deri në vitin 2018, nuk ka pasur raste të raportuara të dhunës seksuale nga konflikti.“Rasti i parë doli kur një e mbijetuar iu drejtua me guxim zyrës së prokurorit. Kjo e mbijetuar ishte përballur më parë me zhgënjime si me EULEX-in ashtu edhe me UNMIK-un. Unë jam prokurorja e parë e cila ngriti aktakuzën për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovës. Kjo mundësi më është dhënë mjaftë vonë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Ilir Morina, prokuror special, udhëheqës i Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale, tha se nga periudha e UNMIK-ut dhe EULEX-it deri në vitin 2023, janë dokumentuar 77 raste të dhunës seksuale si krim lufte, gjashtë aktakuza janë ngritur, ndërsa të tjerat janë në proces.Ai tha se sfidë e madhe mbetet mungesa e provave, veçanërisht pasi kanë kaluar kaq shumë vite dhe kjo sipas tij e bën edhe më të vështirë zbulimin e drejtësisë dhe të vërtetës.
Nis konferencës ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt
N.M
Ka nisur dita e dytë të konferencës ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt që organizohet nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Në këtë Konferencë po merr pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ditën e parë të kësaj konference ka përmendur të mbijetuarat e dhunës seksuale së luftës së Kosovës të cilët dhimbjen e Kosovës kanë arritur të dëshmojnë në botë. Ajo tha se përkundër dhimbjes së shkuarës së luftës së Kosovës, ka guxim dhe vendosmëri e shpresë të lëkundur për drejtësi.
Kurse kryeministri Kurti tha se mbrojtja e të drejtave të njeriut është mision humanitar. Ai tha se të mbijetuararat kanë treguar forcë për të ndërtuar jetë të re. Kurti tha se po punohet dhe në dokumentimin e krimet e luftës, ku ka përmendur edhe themelimin Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë























