Krasta për Festivalin e Këngës: Festë për gjithë shqiptarinë|VIDEO
BKT
Në Fokus

Krasta për Festivalin e Këngës: Festë për gjithë shqiptarinë|VIDEO

V.S|RTKlive

Përmes një konference për media janë shpalosur detajet për edicionin e dytë të Festivalit të Këngës në RTK.

Drejtori i këtij festivali, Adi Krasta e quajti ditën e sotme si moment festiv dhe festë për vendin e për shqiptarinë. 

“Sot është një moment festiv. Radiotelevizioni i Kosovës është në përgatitjet e fundit të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës. Sa shumë kanë punuar edhe më përpara për të mbërritur në këtë ditë. Është një festë e kryeqytetit, e gjithë vendit dhe e gjithë shqiptarisë, sepse ka një shikueshmëri e përcjellje jashtëzakonisht të lartë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe gjithë mërgatën shqiptare kudo në botë”, tha tutje Krasta.

Drejtori i festivalit tha se janë në momentet e fundit të festivalit që e quajti shumë të komplikuar dhe si një ngjarje të madhe ku siç tha ai është një radiotelevizion brenda një radiotelevizioni që punon tërë ditën e me një tjetër ritëm.

“Janë ato ditët kur ty të duket sikur që situata është e pështjellët, por gjithçka si në një mrekulli e zgjidhë vendin e vetë, sepse kemi punuar fort prej një viti dhe është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për Radiotelevizionin në vetvete, por edhe për jetën artistike të vendit”, shtoi ai.

Krasta në këtë konferencë bëri prezantimin e dy figurave që do të kenë në duar netët e festivalit live në RTK e ata do të jenë Genc Salihu e Drita Kabashi.

Drejtori Krasta foli edhe për buxhetin e festivalit. Ai tha se për këtë çështje ka pasur kuriozitet, por sipas tij buxhetet janë të deklarueshme e transparente.

“Buxhetet janë të deklarueshme, janë transparente sepse kështu janë. Dhe përveç kësaj festivali i vjetshëm sikur i sivjetshmi e të tjerë në të ardhmen prodhojnë një raport zyrtar shtetëror që vendoset online për të gjithë ata që kanë kureshtje, që duan ta analizojnë apo ta hetojnë mënyrën se  si është organizuar një aktivitet i përmasave të jashtëzakonshme. Ju duhet ta dini që një memorandum bashkëpunimi mes RTK –së e Ministrisë së Kulturës  është nënshkruar për një periudhë tre vjeçare. Në vitin e parë ministria do t’i jepte 300 mijë euro kurse RTK-ja nga fondi i vetë që i jep shteti, thesari, do të duhej të shpenzonte 50 mijë euro. Në vitin e dytë, pra këtë vit 250 mijë nga Ministria ndërsa RTK 100 mijë euro. Vitin e tretë Ministria do të japi 150 mijë euro ndërsa RTK duhet të planifikojë të shpenzojë 150 mijë euro. Kjo dinamikë është menduar atë kohë me qëllim që RTK të pavarësohet që dikur festivalin ta prodhojë vetë siç bën Radiotelevizioni i Shqipërisë”, shpjegoi tutje ai.

Krasta tha se është munduar të jetë i kujdesshëm me shifrat. “Sepse nëse ti do të thuash që buxheti është 250 mijë dhe ai ndryshon siç ka ndryshuar aktualisht, sepse unë i jam lutur ministrisë që të mos e zbatojë dinamikën sepse RTK-ja është në një situatë shumë të keqe financiare. Iu luta që të nënshkruajmë një marrëveshje që e kemi nënshkruar shumë vonë që ata edhe sivjet do të japin shifrën 300 mijë euro”, bëri të ditur ai.

Krasta në këtë konferencë tha se për të gjithë ata njerëz që duan të dinë sa është buxheti i festivalit, ai edhe këtë vit do të jetë 350 mijë. 300 mijë do t’i jap ministria e 50 mijë RTK.

Tutje ka shpjeguar në detaje se sa e për çfarë do të shpenzohen këto 350 mijë euro.

“Për paga në këtë festival do të shpenzohen 83 mijë e 250 euro, për mallra e shërbime do të shpenzohen 190 mijë e 100 e për shpenzime të tjera operacionale do të shpenzohen 26 mijë e 650 gjithsejtë. Kjo shumë shkon në 300 mijë. Gjithsejtë Radiotelevizioni i Kosovës do të shpenzojë 50 mijë e asnjë cent më shumë”, bëri të qartë Krasta.

Ai u shpreh i lumtur që po e organizojnë një ngjarje shumë të madhe me një buxhet kaq të vogël.

Ndërkohë drejtori artistik e festivalit Florent Boshnjaku ka shprehur bindjen se shumë shpejt këngët e këtij festivali do të shkojnë në “Eurosong”.

“Jam i lumtur që jemi gjithë bashkë dhe kemi arritur të krijojmë një platformë të tillë dhe shpresojmë që shumë shpejt do ta dërgojë Kosovën në “Eurosong”. Uroj që kjo ditë të vjen sa më shpejt, uroj të mos jetë proces i gjatë. Jemi duke u përgatitur dhe jemi të gatshëm. Në “Eurosong” nuk kemi nevojë të shkojmë të marrim diçka, por të japim shumë nga ne”, tha ai.

Tutje Boshnjaku tregoi detajet rreth festivalit.

“Ne vitin e kaluar e kemi dëshmuar jo vetëm ne, e RTK-ja, por edhe artistët që kanë marr pjesë që me një pasion mund të bëhet diçka jashtëzakonisht e bukur. Jam i lumtur që sivjet jemi në edicionin e dytë e uroj ta mbërrijë të 200-n. Sivjet kemi 16 këngë në konkurrim. Festivali do të jetë 3 net. Natën e parë e të dytën do të prezantohen 16 këngët e në finale shkon gjysma e tyre”, tregoi ai për atë që tha se ndonëse që do të ketë një fitues nuk e parapëlqen ta quaj garë, por festë.

Ndërsa prezantuesja e këtij edicioni të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, Drita Kabashi, një aktore e lindur e rritur në Amerikë është shprehur e lumtur për mundësinë që iu dha në vendin e saj, në Kosovë.

 “Shpreh lumturinë e madhe që këtë vit do ta prezantojë festivalin. Jam gëzuar shumë kur ekipi i festivalit më ofrojë këtë mundësi. Unë jam aktore dhe ky është një teatër i tillë, por muzika ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës time. Përputhja e këtyre dy botërave është një gjë shumë e bukur. Unë jam lindur e rritur në Amerikë dhe të ndodhë kjo përputhje në vendin tim në Kosovë është një bukuri shumë e madhe”, tha ajo.

Ndërsa këngëtari Genc Salihu, që do të ketë në krah aktoren Kabashi në bashkëudhëheqje, i ka falënderuar drejtuesit e festivalit për besimin e dhënë.

“Faleminderit për ftesën e besimin që ma keni dhënë të moderojë festivalin. Jam mirënjohës e i lumtur me presionin e madh që ma bën Adi Krasta duke më thënë sa i mirë do të jem. Të prezantoj pas Adi Krastës është si të dalësh të këndosh pas Pavarotit. Çka më gëzon shumë është se ky festival është bërë, tashmë ekziston sepse muzika zbavitëse është një vlerë kombëtare që duhet të ruhet”, tha Salihu.

 


MË SHUME NGA Në Fokus