Geci dëshmoi në Hagë, foli për komunikatën 59 dhe marrëdhëniet LDK-UÇK
BKT
Gjykata Speciale

Geci dëshmoi në Hagë, foli për komunikatën 59 dhe marrëdhëniet LDK-UÇK

Donika Sherifi /RTK

Në Hagë, sot, ka dëshmuar Fadil Geci, i cili hodhi akuza të rënda derisa dëshmoi në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së. Ai foli për komunikatën 59, marrëdhëniet e LDK-së me UÇK-në, e tema të tjera. Geci do ta vazhdojë dëshminë edhe nesër nga ora 09:00.

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Geci, ka dhënë dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Geci, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, foli për postet drejtuese të LDK-së gjatë luftës, autorësinë e komunikatës 59 të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, si dhe betejën e Llaushës.

“Gjithashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, Tahir Zemajt, si dhe informacionin lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës, në ose përreth Qirezit, në shtator të ‘98-ës, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me ndërveprimet, njohuritë apo bisedimet që kanë pasur anëtarët e UÇK-së, duke përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selmin dhe Samedin Xhezairin, lidhur me këto ngjarje”, tha James Pace, prokuror.

Geci përsëriti vazhdimisht para trupit gjykues se të gjitha proceset e rëndësishme të Kosovës kanë kaluar përmes tij.

 “Ju vet keni marrë pjesë në luftimet në Llaushë në ‘98-tën”, tha prokurori Pace.

“Na kem qenë baza aty, unë kam qenë një përgjegjës I shtetit të Kosovës, I Kushtetutës së Kaçanikut, në nivel të shtetit të Kosovës, unë kam qenë ai përgjegjësi për Drenicë që tona proceset e mëdha kanë kaluar asajde kah unë, jam personazh që i kam bartë përgjegjësinë për të gjitha dhe sot para juve e marr përgjegjësinë për të gjitha ato që i kam bërë, kam dëshirë edhe tjerët me i marrë përgjegjësitë për ato që i kanë bërë”, tha Fadil Geci, dëshmitar.

Geci, po ashtu, foli për një takim me Hashim Thaçin gjatë luftës.

“Çfarë ju tha Hashim Thaçi juve apo në praninë tuaj nëse tha gjë”, tha prokurori Pace.

“Kur jam hy unë, ish kanë tu ju thanë që nuk jem në parti, s’jam kanë në parti, unë i thash që ti je kanë një javë ditë kryetar i forumit rinor të LDK-së në Skenderaj, tha kom rrejt, thash ke rrejt, je rrenc atëherë edhe sot, e çka flet ti, rren edhe shpif”, tha Fadil Geci, dëshmitar.

Intervistimi i Gecit do të vazhdojë të martën.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale