Getoar Hoxha, studenti më i mirë në botë për vitin 2024, nga GIDE në ShBA
BKT
Lajme

Getoar Hoxha, studenti më i mirë në botë për vitin 2024, nga GIDE në ShBA

K. Kasumi / RTKlive

Studenti më i mirë në botë për vitin 2024, i cili është shpallur nga Global Institute For Dental Education në Implantologji dhe Rigjenerim Kockor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është Getoar Hoxha, stomatolog, i cili po kryen specializim në Kirurgjinë Orale në QKSUK.

Hoxha tha se fitues e kanë bërë rezultatet e mira gjatë provimeve, shkathtësitë kirurgjike gjatë takimeve në Amerikë dhe rasti klinik që e ka dërguar dhe trajtuar, një rast jo i zakonshëm. Ai tregoi se në atë pacient ka përformuar procedurat e regjenerimit kockor dhe se çdo gjë ka shkuar siç është më së miri.

Në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ai foli për punën që bën. “Edhe pse janë procedura që janë kryer edhe më herët në vendin tonë, megjithatë kërkojnë shumë durim prej mjekut, pacientit, ekipit. Janë procedura teknikisht shumë sensitive dhe duhet të realizohen tek ata pacientë që kanë dëshirë të vendosin implante dhe që kanë vullnet", tregoi Hoxha.

GIDE (Global Institute for Dental Education) është institut që është themeluar 20 vjet më parë në Los Anxhelos, Kaliforni, i akredituar nga ADA – CERP (American Dental Association Continuing Education Program Recognition). Ofron programe të masterit të përpiluara nga profesorë eminentë të fushës së stomatologjisë, në veçanti të fushës së implantologjisë, paradonotologjisë dhe kirurgjisë orale.

Hoxha njoftoi se pas përfundimit të këtij masteri klinik të jepen 300 kredi dhe se masteri klinik zhvillohet në disa vende të botës si në Azi, Australi, Kinë, Evropë dhe Amerikë. Ai tha se kishte fatin të merrte pjesë në grupin e Amerikës dhe se pas përfundimit të këtij cikli, mbahet simpoziumi në Kaliforni, e aty zgjedhen pesë studentët më të mirë të këtij programi e në mesin e pesë më të mirëve, zgjedhet studenti më i mirë.

Ai, ndër të tjera, tha se ka qenë ndër më të rinjtë që ishin në garën e ngushtë dhe tregoi për përvojën e punës. “Kam shtatë vjet përvojë në stomatologji dhe tri vjet që merrem ekskluzivisht me procedurat e regjenerimit kockor. Ishte pak sfiduese, por ia dola të fitoj”, tha Hoxha.

“Kemi qenë rreth 100 studentë. Në Gide zakonisht shkojnë personat të cilët veçse i bëjnë këto procedura tash e sa kohë. Normalisht kur je në garë me vende shumë të zhvilluara të Evropës ose të Australisë, këto procedura janë rutinë, por kur shkojmë prej një vendi si Kosova, edhe pse në teknologji dhe materiale nuk kemi asgjë mangët, janë procedura që nuk i kemi ushtruar shumë", tha ai.

Hoxha tregoi se për t’i arritur këto suksese është zgjuar në orën katër e tridhjetë dhe ka punuar deri në 12-13 orë në ditë.


MË SHUME NGA Lajme