Reagon edhe Shoqata e Prokurorëve ndaj deklaratave të Mujës
V.S|RTKlive
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Armend Muja, të cilat sipas kësaj shoqate përmbajnë pretendime të pabazuara mbi punën e Prokurorisë së Shtetit.
“Shoqata dënon çdo përpjekje për të krijuar perceptime të gabuara në publik dhe për të njollosur integritetin e institucionit të prokurorisë, veçanërisht kur këto pretendime nuk mbështeten në fakte apo prova konkrete”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.
Tutje, aty thuhet se Prokuroria e Shtetit vepron gjithmonë në përputhje me parimet e pavarësisë dhe paanshmërisë, duke u mbështetur vetëm në prova dhe në zbatimin e rreptë të ligjit.
“Proceset hetimore nuk mund të ndikohen nga presione politike apo deklarata të papërgjegjshme. Për çështjet e ndjeshme, siç janë ato të përmendura në postimin e deputetit Muja, ne theksojmë se çdo vendim merret në përputhje me ligjet dhe dispozitat në fuqi, dhe jo përmes spekulimeve të pabazuara”.
Shoqata e Prokurorëve i ka ftuar akterët publik, përfshirë deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre duke thënë se do të kontribuonin në ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë në vend të përhapjes, sipas tyre, të informacioneve që thonë se mund të krijojnë huti dhe mosbesim.
Deputeti Muja përmes një statusi në rrjete sociale hodhi akuza karshi Prokurorisë e Kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj.
“Saimir Mane njëfarë vakti edhe në Kosovë ka bë ligje kur ka qenë Qeveria Hoti. Me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte shtuar një amendament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare. Komisioni i Minierave (KPMM) nuk e kishte ngarkuar asnjëherë Ferronikelin me rentë minerare siç parashihte ligji. A e ka hetuar ndonjëherë Prokuroria këtë pazar? Apo ndoshta Dauti nuk i ka thënë Blerim Isufajt me e hetu këtë rast”, ka shkruar Muja, status i cili nxiti reagime të shumta.
Më herët ndaj këtyre deklarimeve reagim pati edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës e Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit duke i quajtur si deklarata me përmbajtje të pastër politike e që kanë për synim të dëmtojnë rastet hetimore në procedurë.























