Aurela Gaçe performon në natën e parë të Festivalit të Këngës së RTK-së
M.P| RTKlive
Këngëtarja dhe kantautorja e famshme shqiptare, Aurela Gaçe do të performojë sonte në Festivalin e Këngës së RTK-së.
Gaçe, e cila mban autorësinë e dhjetëra krijimeve unike, do të sjellë në skenën madhështore të 'Fest 2' artin e saj muzikor, i cili është zhvilluar ndër vite pikërisht me pjesëmarrje e trofe në festivale.
Gaçe kishte prezantuar Shqipërinë në garën evropiane “Eurovision” në vitin 2011 me këngën “Feel the passion”.
Përveç Gaçes, “Fest 2” ka rezervuar edhe emra të tjerë eminentë të skenës vendore, të cilët do të shpalosen gjatë tri netëve të këtij festivali.
Festivali i Këngës nis sonte, teksa vazhdon edhe në datat 25 dhe 26 tetor. Sivjet në garë janë 16 artistë, të cilët synojnë tri çmimet e para.
Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejtë në RTK 1, Radio Kosova dhe platformat online.
Transmetimi televiziv do të nis duke filluar nga ora 20:10, ku musafirë të shumtë do të priten në tepihun e kuq në Pallat të Rinisë. Ndërkaq nata e parë e “Fest 2” do të fillojë nga ora 21:00.
























