Von der Leyen – Vuçiqit: Serbia duhet t`i respektojë politikat e BE-së
Anamari Repic/RTK
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka qëndruar sot në Beograd në kuadër të turneut të saj në Ballkan. Atje është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, e ku pjesë e diskutimit ishte edhe Kosova. Mysafirja evropiane i tha presidentit serb, që i dinë kërkesat e Serbisë për anëtarësim në BE, por që Serbia duhet t`i respektojë politikat e jashtme të BE-së, si dhe të mbajë marrëdhënie të mira me vendet e tjera.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot refuzoi të takohet me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili, pak para takimit të planifikuar, zhvilloi një bisedë me ministrin rus të Zhvillimit Ekonomik.
Sipas zyrtarëve evropianë, anulimi erdhi pasi në takim u diskutua forcimi i bashkëpunimit mes Serbisë dhe Rusisë në fushën ekonomike dhe në politika të tjera.
Nga takimi me ministrin rus, qeveria serbe deklaroi se Vuçeviq tha se Serbia, përkundër presioneve, udhëheq një politikë të pavarur.
Takimi me kryeministrin serb u anulua pasi Von der Leyen u takua me presidentin Aleksandër Vuçiq, me të cilin diskutoi edhe çështjen e lidhjet e Serbisë me Rusinë.
Vuçiq konfirmoi se Von der Leyen kërkoi përputhje më të madhe me politikat e jashtme të BE-së, ndërsa ai prezantoi qëndrimin e Beogradit.
"Von der Leyen kërkoi një respekt më të madh për deklaratat e BE-së. E dimë cilat janë kërkesat, por Serbia do të vazhdojë rrugën evropiane, duke ruajtur marrëdhënie tradicionalisht të mira edhe me vendet e tjera", deklaroi Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim u fol edhe për dialgun Kosovë-Serbi.
“Ia kam shpalosur qëndrimin e Serbisë dhe hollësisht e deri në thelb kam folur për domosdoshmërinë e kompromisit, bisedimeve dhe të ardhmes së të gjithë rajonit”, tha Vuçiq.
Von der Leyen theksoi se vizita e saj dhe ardhja e kryeministrave të Greqisë dhe Polonisë janë sinjal për pjesëmarrjen e delegacionit serb në samitin e BRIKS-it në Kazanj, dhe shtoi se e ardhmja e Serbisë është në BE.
Pas kritikave për lidhjet e ngushta me Rusinë dhe pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e BRIKS-it, pozicioni zyrtar i Beogradit ndaj Rusisë mbetet i pandryshuar.
Në samitin e Kazanjit, në vend të Vuçiqit, mori pjesë një delegacion serb i kryesuar nga zëvendëskryeministri Aleksandër Vulin, i cili shprehu synimin e Serbisë për t'u integruar në këtë organizatë.
Në delegacion ishte edhe Nenad Popoviq, dhe të dy janë në listën e zezë të SHBA-së për lidhjet e tyre me Kremlinin.























