Musliu-Shoshi: Organet e drejtësisë të hetojnë aferat në MPJD
M.M. /RTKlive
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në një konferencë për medie ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë urgjentisht, siç i quan ajo, skandalet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, të cilat lidhen me keqpërdorimin e dokumenteve zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjet e saj joligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
Musliu-Shoshi, ftoi organet e drejtësisë që urgjentisht të nisë hetimet edhe në MPJD për shkak dyshimeve për keqpërdorime të shumta me dokumentet zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjet e saj joligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme.
"Si pasojë e këtij dështimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen, shumë punë do të ndërpriten, shumë shpenzime të qytetarëve tanë do të bëhen, e fatkeqësisht, edhe shumë plane të tyre do të prishen. Të risjellim në vëmendje vonesat e shumta për shkak të mungesës së materialit në fillim të mandatit qeveritar, pastaj vonesat me muaj të tërë të dërgimit të dokumenteve nëpër misionet tona Konsullore për shkak të mos nënshkrimit me kohë të kontratave nga ministrja Gervalla Schwarz. Të dyja këto ngecje ndodhën me qëllim të aplikimit të kontratave njëburimore nga qeveria”, tha Musliu – Shoshi.
Ndryshe në medie u raportua se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve – janë humbur në postën diplomatike të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Musliu-Shoshi ka dënuar sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe ka ftuar organet e drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe të dënojnë aktorët e përfshirë në këtë sulm.























