Vazhdon procesi gjyqësor në Hagë, dëshmon Fatmir Sopi |Video
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot ka filluar dëshminë dëshmitari i 98-ë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Fatmir Sopi, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, pas betimit të dhënë ka filluar të dëshmojë sot në Gjykatën Speciale në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Dëshmitari Sopi fillimisht përshëndeti katër të akuzuarit, duke i quajtur “bashkëluftëtarë të mi”.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se beson se ky dëshmitar, i 98 me radhë, me numrin W04485, pritet që sot ta përfundon dëshminë e tij në Hagë. Ai tha se Prokuroria e kësaj gjykate, me kërkesën e saj, do të ketë në dispozicion për pyetje, një orë e gjysmë kurse, mbrojtja e të akuzuarve tri orë, pyetje tha ai do të bëjë edhe trupi gjykues.
Sopi kishte dëshmuar edhe dy vjet më parë në këtë gjykatë në Hagë në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Hagë, sot, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokuroja Silvia D’Ascoli ka njoftuar për dëshmitarët që planifikohet që të japin dëshmi gjatë kësaj .jave.
Sipas saj dëshmitari i parë sot, do të jetë W04485 e si dhe do të jenë tre dëshmitar me video-lidhje. Bëhet e ditur se ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, do të dëshmojë sot në Gjykatën Speciale, në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
Pas këtyre pritet të jetë dëshmitari W04295 dhe dëshmitari W04759.
Dëshmitari i fundit, Nuredin Ibishi, të enjten më 24 tetot, u ballafaqua me deklaratat që i ka dhënë më herët për Prokurorinë, ai tha se asnjëherë nuk i kujtohet që ka thënë që Jakup Krasniqi ka qenë komandant. Ibishi tha se UÇK-ja nuk ka pasur komandant, prandaj si mund të thotë diçka që është inekzistente.
Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore, raporton RTKlive.
Të kujtojmë se në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten u bë e ditur se është marrë vendim që më 14 nëntor 2024 të fillojë gjykimi në rastin ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.
Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.























