Konjufca thotë se i kanë 61 deputetë, opozita e quan javë vendimtare
V. Saraçi/RTKlive
Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se shumica parlamentare i ka 61 deputetë, e që sipas tij kuvendi do të mund të funksiononte.
“Ata që e përbëjnë shumicën parlamentare janë 61 deputetë që i përkasin koalicionit qeveritar. Në këto kushte, konsideroj që Kuvendi do të mund të funksiononte. PDK-ja e ka përvojën kur ka funksionuar me 57-58 deputetë. LDK-ja tash u rebelua diçka e nuk po votojnë kurrfarë ligji, ndoshta Abelardi mund t’ua shpjegojë gazetarëve se si kishte arritur ta bindte atëherë PDK-ja LDK-në. LDK-ja u rebelua pak më shumë dhe u bë pak më revolucionare”, tha Konjufca, derisa gjatë këtyre deklarimeve komunikonte nga distanca me kryetarin e grupit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, që priste radhën për fjalën e tij në foltore.
Tahiri: Konjufca brenda një viti me deklarime krejt të ndryshme për draftin e Asociacionit
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ndërlidhi fjalën e tij me deklarimet e kryekuvendarit që foli për draftin e Asociacionit. Tha se një vit më parë për Konjufcën drafti dukej modern e sot ka qëndrime krejt tjera.
“Ju e dëgjuat kryetarin e Kuvendit që tha se Bashkimi Evropian nuk mund t’ia imponojë një draft statut sepse është i padrejtë e po i merr kompetencat Kosovës. Por, shikoni para një viti, kur në tetorin e vitit 2023 në media kishte thënë se draft statuti i Asociacionit duket që është modern e në lexim të parë në përputhje me kushtetutën. Ajo që do të duhej të ndodhte është se këtë që tha sot Konjufca do të duhej ta thoshte fiks para një viti, para një viti qëndrimi i tij do të kishte vlerë”, tha Tahiri i PDK-së derisa këto deklarime i quajti joserioze.
“Këta janë joserioz, këto nuk janë qëndrime shtetërore, kjo është situatë është e mjerueshme. Këtu veç një fat e kemi që jemi në prag të zgjedhjeve e që do të kemi një qeveri të re që do ta nxjerrë vendin nga sanksionet”, tha ai.
Kur foli për seancat plenare tha se kishin paraparë që këtë javë të ftonin një seancë të jashtëzakonshme me mbështetje edhe të grupeve tjera opozitare për shkarkimin e Bordit të RTK-së.
“Për shkarkimin e Bordit të RTK-së dhe për diskutimet për mundësinë e ndërhyrjes së AKI-së qoftë në përcjelljen e disa gazetarëve qoftë në ndikimin e politikave redaktoriale të RTK-së, mirëpo ju e dini që kërkesën e tillë e kemi bërë në korrik dhe kërkuam nga mazhoranca të hyjë si pikë e rregullt dhe të hyjë në diskutim rezoluta për shkarkimin e Bordit të RTK-së e do të plotësohet tash edhe për mundësinë e një hetimi të pavarur sa i përket mundësisë së interferimit të AKI-së, daljes jashtë kompetencave të tyre, meqë ajo do të jetë një ndër pikat e para të seancës së rregullt të enjten”, tregoi Tahiri.
Gashi i përgjigjet Konjufcës që tha se LDK-ja u rebelua
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i është përgjigjur kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që tha se LDK-ja u rebelua më shumë e nuk po voton projektligje e ligje në Kuvend.
“Pse Vetëvendosje prej 58 deputetëve të vet ka ra pothuajse në 50 deputetë është faji i LDK-së? Pse LVV në 4 vjet të qeverisjes së vetë asnjë amendament, propozim as rezolutë nuk e ka përkrahur është faji i LDK-së. Se LDK-ja pa asnjë kërkesë i ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare është faji i LDK-së? Nëse LDK-ja vazhdimisht ka qenë konstruktive gjatë gjithë kohës është faji LDK-së? Nëse të gjitha këto janë faj i LDK-së jemi të gatshëm t’i marrim këto faje. Të quash rebelim një sjellje normale parlamentare është e turpshme e nga kush vjen nga Vetëvendosje që e ka sulmuar kuvendin e ka sulmuar kryeministrin e deputetët me gaz lotsjellës”, tha Gashi.
Ai e ka quajtur këtë javë vendimtare sa i përket numrave të shumicës parlamentare.
“U dakorduam që të kemi dy seanca gjatë javës, por mbetet të shihet nëse LVV-ja i ka votat e nevojshme për të kaluar vendimet që merren me shumicë të thjeshtë. Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare LDK e ka deklaruar dhe konfirmon se qëndron pas vendimit të saj që marrëveshjet ndërkombëtare i përkrahë”, tha ai.
Gashi foli edhe për statutin e Asociacionit. Tha se e kanë thënë moti se Kosova duhet të zbatojë obligimet e veta, por duke garantuar që opinioni i kushtetueses mbi parimet për statutin të zbatohet duke ruajtur integritetin territorial e karakterin unitar të shtetit.
Tahiri i AAK-së: Kjo Qeveri e ka kthyer Kosovën prapa
Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së tha se pas një kohe të gjatë sot u mbajt mbledhja e kryesisë, pas një bojkotimi, sipas tij, të katër seancave të jashtëzakonshme nga shumica parlamentare.
“Kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare lëre që e ka kthyer Kosovën prapa, por i ka dhënë goditjen më të madhe si në aspektin e forcimit të vetë të brendshëm, dhe vetë dëmtimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Kjo letër këtu është letra e 23 marsit 2024, ku të tre krerët e shtetit zotohen për themelimit të Asociacionit. Çka doni më shumë se tre nënshkrime të tre krerëve të shtetit që zotohen ta themelojnë Asociacionin”, tha Tahiri i AAK-së, duke shtuar tutje se shumica parlamentare nuk ka legjitimitet.
“Kjo shumicë parlamentare më nuk ka legjitimitet e kjo do të vërtetohet të mërkurën. Si të mbështetet një qeveri që e ka humbur logjiken, por edhe shumicën parlamentare. Kjo qeveri, ky kryeministër është dashur të dorëhiqet në ditën kur ka humbur 61 deputetë”, tha Tahiri i AAK-së.























