Në kryeministri pritje për sportistët e garave ndërkombëtare të pingpongut
V.S|RTKlive
Ballkoni i Kryeministrisë ka qenë vendi ku janë pritur sportistë pjesëmarrës në garat ndërkombëtare të pingpongut, ngjarje që po zhvillohet në Kosovë e që konsiderohet si më e madhja në këtë sport. Pritje këtyre sportistëve u bëri numri një i qeverisë, Albin Kurti bashkë me të dytën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, Daulina Osmani.
Në këtë pritje ishin sportistë pjesëmarrës dhe zyrtarë të garës World Table Tennis, Youth Contender dhe WTT Feeder të organizuar nga Federata e Pingpongut në Kosovë.
“Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri u uroi sportistëve ndërkombëtarë mirëseardhje në Kosovë dhe i falënderoi të gjithë për rolin dhe kontributin për sportin e pingpongut dhe sportit në përgjithësi, e për rininë në veçanti. Ai u dëshiroi suksese në gara e përgjatë karrierës së tyre profesionale, teksa i ftoi që të vizitojnë përsëri Kosovën”, citon komunikata kryeministrin Kurti.
Këtë vit në garat e WTT Youth Contender, të cilat u zhvilluan nga 24 deri më 27 tetor, morën pjesë sportistë nga 14 shtete ku pingpongisti Imran Duraku, zuri vendin e dytë për Kosovën në kategorinë U11.
Ndërkohë, në kategoritë U15 dhe U19 fitues dolën pingpongistët nga Anglia, Belgjika, Bullgaria dhe Korea e Jugut.
Nga 30 tetori deri me 1 nëntor, po në sallën "1 Tetori" në Prishtinë do të zhvillohet edhe gara e dytë ndërkombëtare e pingpongut, WTT Feeder Prishtina 2024, ku do të marrin pjesë sportistë nga 31 shtete.























