Osmani uron Erdoganin për Ditën e Republikës, e falënderon për mbështetje
E. Hoti / RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdogan me rastin e Ditës së Republikës.
Në një postim në platformen X, Osmani ka uruar që fryma e unitetit dhe solidaritetit të mbizotërojë në Turqi.
“I nderuar President Erdogan, në këtë ditë kuptimplote kur kombi turk feston Ditën e Republikës, uroj që fryma e unitetit dhe solidaritetit të mbizotërojë në të gjithë vendin tuaj”, ka shkruar Osmani.
E para e Republikës ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.
“Populli i Kosovës falënderon sinqerisht Turqinë për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë e vazhdueshme që ka dhënë ndër vite. Ne jemi të vendosur të forcojmë më tej partneritetin tonë dhe shpresojmë të shfrytëzojmë me shumë entuziazëm mundësitë e ofruara nga bashkëpunimi ynë”, ka shkruar tutje Osmani.
























