Ministri i Haxhit për herë të parë në Kosovë, pritet nga Konjufca
BKT
Lajme

Ministri i Haxhit për herë të parë në Kosovë, pritet nga Konjufca

V.S|RTKlive

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, ministri i Haxhit dhe Umres të Arabisë Saudite, Tawfiq Al-Rabiah është pritur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Bashkë me të në takim tek kryekuvendari ishin edhe ambasadori jorezident i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal bin Ghazi Hifzi si dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

Kreu i Kuvendit në këtë takim të parë, mysafirit nga Mbretëria e Arabisë Saudite i shprehu nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Siç bëhet e ditur, në këtë takim u bisedua për disa çështje të interesit të përbashkët “duke përfshirë lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve në të dy vendet dhe qarkullimin e mallrave apo shërbimeve, për nevojën e formimit të delegacioneve të bizneseve si një mekanizëm për të nxitur rritjen e bashkëpunimit ekonomik, diskutuan rreth përfitimit nga përvojat dhe kapacitetet në fushën e IT-së, si dhe për bashkëpunimin që mundëson në mënyrë sa më optimale ushtrimin e jetës shpirtërore të qytetarëve”, thuhet  në komunikatën që lëshoi zyra e kryeparlamentarit.

Në këtë kontekst mysafiri Tawfiq Al-Rabiah informoi mbi platformën e-Visa të Arabisë Saudite, si infrastrukturë digjitale që lehtëson procedurat e vizitave, prej të cilës përfitojnë edhe personat që vizitojnë këtë vend për të ushtruar rite fetare të jetës shpirtërore dhe besimit.

 Ai tha se Arabia Saudite, si në të kaluarën, do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës, me gatishmëri për të thelluar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve.

 


MË SHUME NGA Lajme