Nuk kalojnë rezolutat e opozitës në Kuvend | Video
BKT
Lajme

Nuk kalojnë rezolutat e opozitës në Kuvend | Video

M.P. / RTKlive

(Plotësuar, 13:50) Ka përfunduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, e cila ka qenë vazhdimësi e pikave të papërfunduara nga tri seancat plenare të muajit shtator e tetor dhe dy seancave të jashtëzakonshme të tetorit.

Tri projektrezolutatat e paraqitura nga partitë opozitare në seancat e kaluar kanë dështuar të miratohen nga Kuvendi i Kosovës, pasi deputetët e mazhorancës kanë votuar kundër tyre, derisa ata të opozitës nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Bëhej fjalë për projekt-Rezolutën për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiq, Projekt-Rezolutën për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës dhe Projekt-Rezoluta për skandalet dhe keq menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë. Një nen i këtij projektligji u mundëson qytetarëve nga Lugina e Preshevës që të kenë pronësi mbi pronën e tyre në Kosovë.

Nuk kalon propozimi për importim të veturave më të vjetra se 10 vjet

(Plotësuar, 12:15) Propozimi që të lejohet importimi i veturave më të vjetra se 10 vjet në Kosovë nuk mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme.

Ky propozim u paraqit para kuvendarëve nga deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai tha se ky ndryshim në ligjin për automjetet është i nevojshëm për t’ua lehtësuar familjeve me ekonomi më të dobët blerjen e veturave, pasi sipas tij, jo të gjitha familjet kanë mundësi të blejnë vetura të reja.

Megjithatë, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ftoi deputetët që ta kundërshtojnë votimin e këtij plotësim/ndryshimi të ligjit, duke e quajtur propozimin e Lushtakut si joprofesional. Ajo njëherësh theksoi se Ministria e Mjedisit është duke punuar për ndryshimet profesionale në këtë ligj dhe se deputetët duhet të presin ato ndryshime.

Në fund thirrja e deputetes Pacolli pati efekt, pasi 52 deputetë të mazhorancës votuan kundër, derisa vetëm nëntë deputetë votuan për.

Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare është shtyrë sërish për mungesë të kuorumit të nevojshëm prej 80 deputetëve në seancë.

Krahas 61 deputetëve të mazhorancës në seancë po marrin pjesë edhe deputetë të opozitës, por ata nuk e kanë vërtetuar pjesëmarrjen në seancë përmes votimit. Në rrethana të tilla, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë në mungesë të vullnetit të opozitës për të votuar ka thënë se tri marrëveshjet e parapara ndërkombëtare të shtyhen për ndonjë seancë tjetër.

“Po e shoh që nuk ka atmosferë që të votohen dhe kërkoj nga sekretaria e Kuvendit që pikën e 6, 7 dhe 8, të tria marrëveshjet ndërkombëtare të barten kurdo që ka mundësi Kuvendi t’i trajtojë në ndonjë seancë të ardhshme”, ka thënë Konjufca.

Për seancën tjetër u shty edhe amendamenti i deputetit Visar Korenica për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor, pasi në votim morën pjesë vetëm 44 deputetë.

Për shkak të mos harmonizimit të plotë brenda grupit parlamentar të VV-së dështuan edhe disa pika tjera, derisa u miratua emërimi i shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, si dhe Projektligji për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme