KE: Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë marrëveshjen drejt normalizimit
BKT
Foto: RTKlive
Në Fokus

KE: Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë marrëveshjen drejt normalizimit

Gjeraqina Tuhina / RTK-Bruksel

Komsioni Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Në raportin vjetor të publikuar sot rikujtohen palët se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obliguese dhe se formalitetet rreth miratimit të saj nuk duhet të pengojnë zbatimin.

Normalizimi i marrëdhënieve, konsiderohet kusht thelbësor në rrugën evropiane si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

“Fatkeqësisht akoma nuk ka zbatim të marrëveshjes. Për Serbinë dhe Kosovën, rruga evropiane dhe përparimi ne dialog duhet të shkojnë paralelisht. Nuk mundesh ta bësh njërën gjë pa e bërë tjetrën. Progresi drejt BE-së si dhe gjetja e zgjidhjes ne dialog varen dhe ndërveprojnë reciprokisht”, ka thënë Borrell

Kapitull i veçantë në raportin vjetor i kushtohet situatës në veri, ku cilësohet se tensionet mbetën të larta.

Kosova kritikohet se ka kryer aktivitete në veri të cilat, sipas vlerësimit janë në kundërshtim me detyrimet e saj në kuadër të dialogut.

Serbia nga ana tjetër kritikohet për hapat të pamjaftueshëm të Serbisë për të siguruar përgjegjësi për sulmet në Bansjkë. Kjo ngjarje sipas cilësimeve në raport, “përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit”.

Kritika të veçanta Serbia mori për shkak të mos vendosjes së sanksioneve Rusisë.

 “Serbia duhet të ndryshoj shkallën e përshtatjes me politikën e jashtme të BE-së. Ne insistojmë në këtë gjë. Serbisë herët a vonë do t'i duhet të përafrohet me politikën e jashtme. Përndryshe ajo rrezikon anëtarësimin në BE”, ka shtuar Borrell.

Në raportin për Kosovën, Komisioni Evropian ka konfirmuar progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e gjyqësorit. Përparimet janë identifikuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe në aspektin e sigurisë. Në këtë rrafsh, vlerësohet se reagimi ndaj sulmit në Banjskë tregoi nivelin e lartë të profesionalizmit të Policisë së Kosovës.

Progres të mirë Komisioni Evropian ka identifikuar në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale.

Në raportin vjetor kërkohet nga Prishtina zyrtare që të intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Në raport përmendet se ka pasur zhvillime të cilat janë perceptuar si përpjekje të qeverisë për të ushtruar kontroll mbi median.

Kapitull i veçantë i kushtohet RTK-së ku vlerësohet se është përballur me jostabilitet pas dorëheqjeve në menaxhment dhe bord.

 


MË SHUME NGA Në Fokus