Drejtues të DW vizitojnë RTK-në
Elmine Osmani| RTK
Drejtori gjeneral i mediumit gjerman Deutche Welle, Petër Limbourg ka zhvilluar një takim me drejtues të Bordit të RTK-së dhe drejtues të televizionit.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti, falënderoi drejtorin gjeneral të DW-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj RTK-së, si në profesionalizimin e stafit, ashtu edhe në pasurimin e programacionit të RTK-së me përmbajtje programore nga Deutsche Welle, në gjuhën shqipe dhe serbe.
Pas takimit, Limbourg bashkë me ekipin e tij ka vizituar ambientet e Televizionit Publik. Ai ka parë nga afër se si zhvillohet edhe mbledhja e mëngjesit në Dhomën e Lajmeve.
Drejtori i DW, është shprehur i lumtur për bashkëpunimin me RTK derisa tha se RTK është një partner i mrekullueshëm.
“Është një bashkëpunim i madh. RTK është një partner shumë i besueshëm dhe i mrekullueshëm. Ndaj jemi shumë të lumtur që kemi këtë bashkëpunim dhe që mund të punojmë së bashku dhe ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Kështu ne do të vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe jam shumë i lumtur që e bëjmë këtë”, tha Limbourg.
Ndërkaq drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me DW si dhe ndihmën e vazhdueshme ndaj RTK-së.
“Jemi shumë të kënaqur për bashkëpunimin që kemi me Deutche Wellen. DW për ne nuk është vetëm një medium, simbolizon një medium shumë të rëndësishëm të viteve të 90-ta kur Kosova nuk ka pasur media elektronike. DW për ne ka qenë dritare e vetme mediatike dhe e cila ka luajtur rol të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës edhe në kohën e luftës. Ne kemi marrëveshje me akademinë e DW, e cila po ndihmon shumë në trajnimet e gazetarëve tanë dhe redaktorëve. Kështu që, morëm zotimin që të dyja palët do të vazhdojmë me bashkëpunimin”, tha Gërvalla.
Deutche Welle përmes bashkëpunimit me Radio Televizionin e Kosovës po ndihmon në reformimin e Transmetuesit Publik, me fokus në: Formimin dhe Zhvillimin Profesional, Permirësimin e Përmbajtjes Multimediale, Përmirësimin e Teknologjisë së Transmetuesit dhe Strategji për Angazhimin e Audiencave të Reja.
Një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të mediumit gjerman Deutche Welle, Peter Limbourg, mund ta ndiqni në emisionin RTK prime, pas edicionit të Lajmeve Qendrore.























