Policia nis hetimet për mjetin e dyshimtë të gjetur në veturën e Kajtazit
BKT
Lajme

Policia nis hetimet për mjetin e dyshimtë të gjetur në veturën e Kajtazit

V.S|RTKlive

Një pajisje e dyshimtë e gjetur në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi që dyshohet të jetë GPS po trajtohet tashmë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë.

Nga ky organ kanë thënë se pas pranimit të informacioneve kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme dhe këtë rast po e trajtojnë bashkë me Prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve policorë që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta.

“Pas pranimit të këtyre informacioneve nga Policia e Kosovës janë ndërmarrë veprime të menjëhershme policore, është intervistuar gazetari në fjalë dhe këto informacione (edhe një pajisje/dëshmi që sipas informatave fillestare dyshohet të jetë GPS), janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet e tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve të Policisë së Kosovës që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta. Për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimeve që po realizohen në bashkëpunim me prokurorinë, do të njoftoheni me kohë” , thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Vetë gazetari Kajtazi ka shkruar se ky mjet i dyshimtë u gjet rreth orës 10:00 kur dërgoi veturën e tij për një kontrollë në servis.

Ai ka treguar se menjëherë ka kontaktuar Policinë e Kosovës të cilët siç ka treguar pas ardhjes së një patrulle të stacionit të Graçanicës, është kontaktuar njësia kundër bombave e Policisë dhe Krimet e Rënda.

“Njësitet e specializuara kanë tërhequr këtë pajisje dhe kanë konstatuar së është GPS, me numër serik. Është bërë kontrolli i veturës për ndonjë mjet tjetër të dyshimtë, por nuk është zbuluar ndonjë gjë”, ka shkruar Kajtazi.

Tutje, ai ka thënë se ka vazhduar në Polici tek Departamenti për Krime të Rënda për të dhënë deklaratë.

“Si gazetar që kam shprehur shqetësime të vazhdueshme për përndjekje nga pushteti, kërkoj që të vërtetohet se kujt i përket pajisja, kush e ka vendosur dhe a ka bazë ligjore. Unë tashme nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike. Pajisja është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet. Është lehtë e verifikueshme se kujt i përket”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Kajtazi ka kërkuar që këtë rast ta marr Prokuroria Speciale derisa ka kërkuar po ashtu që gjatë procesit të ekzaminimit të saj të jenë të pranishëm edhe avokatët e tij.

 


MË SHUME NGA Lajme