Drejtori i DW-së: Qeveria e Kuvendi të bëjnë çmos për ta mbështetur RTK-në
BKT
Lajme

Drejtori i DW-së: Qeveria e Kuvendi të bëjnë çmos për ta mbështetur RTK-në

M.Pasoma / RTKlive

Drejtor i Përgjithshëm i transmetuesit publik gjerman, Deutsche Welle ka bërë thirrje për mbështetje ndaj Radiotelevizionit të Kosovës.

“Shpresoj që Qeveria dhe parlamentarët do të bëjnë çmos për të mbështetur RTK-në sepse mediat publike janë esenciale për demokraci, janë të lira dhe të rëndësishme. Duhet të kujdeset për të gjithë dhe jo të raportoj për grupe të caktuara të interesit”, ka thënë ai në 'RTK Prime'.

Limbourg ka vlerësuar bashkëpunimin me RTK-në, e cila shtrihet në programacion dhe trajnim të gazetarëve e redaktorëve.

“Mendoj se është një bashkëpunim shumë i mirë, është në interes të popullit të Kosovës. Shumë njerëz nga ky vend jetojnë në Gjermani kështu që lidhjet janë të afërta. Këtë e shohim edhe në media, ne bëjmë diçka që është rol bashkëpunimi për mediat e tjera”, ka thënë ai.

Ai ka folur për rëndësinë e profesionalizmit dhe të lirisë mediale gjatë raportimit të krizave, siç ka bërë DW gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Limbourg ka folur për mungesën e gazetave të shtypura në Kosovë, duke e ndërlidhur se kjo nuk është për t’u vlerësuar në një kohë kur mediat e lira dhe të pavarura po fundosen.

“Kosova është një treg i vogël, kështu që sigurimi i parave këtu është i vështirë për media. Por mendoj që tendenca është se nëse dëshironi ta shpëtoni demokracinë dhe ta keni një shtet liberal, duhet t’i forconi mediat e lira dhe të pavarura”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme