Qeveria në rozë, Kurti: Nga sot mamografia e rikonstruktimi i gjirit falas
G.K/RTKlive
Duke folur për përmbylljen e fushatës kundër kancerit të gjirit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se prej sot, mamografia dhe rikonstruktimi i gjirit do të jenë falas në institucionet publike
.
Në një postim në Facebook, Kurti ka njoftuar se edhe ndërtesa e Qeverisë do të jetë e ndriçuar në rozë me ngjyrat simbolike kundër kancerit të gjirit.
"Dita e fundit e tetorit shënon përmbylljen e fushatës kundër kancerit të gjirit. 31 ditë por jo vetëm kaq. Kanceri i gjirit është një sëmundje ku vetëdijësimi për të ndihmon shumë", ka shkruar ai.
Tutje, kryeministri ka premtuar se angazhimi i Qeverisë do të vazhdojë aktivisht edhe pas kësaj fushate, edhe pas tetorit.
"Prej sot, mamografia dhe rikonstruktimi i gjirit do të jenë falas në institucionet publike. Furnizimi me barna në Klinikën e Onkologjisë është mbi 90%. Ne do të bëjmë edhe fushatë edhe investime për diagnostikim e trajtim. Fushatat janë treguar të suksesshme dhe na kanë ndihmuar edhe ne si Qeveri të veprojmë më shpejt e të investojmë ku duhet. Secilin tetor e secilën ditë të vitit me përkushtim", ka shkruar mes tjerash Kurti.























