Është e hapur ekspozita ‘Një Ditë’ në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’
BKT
Kulturë

Është e hapur ekspozita ‘Një Ditë’ në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’

Ganimete Baliu|RTK

Ekspozita ‘Një Ditë’ e kuruar nga Blerta Hoçia në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, sjell rrëfimet tronditëse të nëntë të mbijetuarve nga dita e 2 majit 1999 gjatë luftës në Kosovë. Përmes dëshmive të tyre, ekspozita përkujton dhimbjen dhe humbjet që përjetuan familjet në atë kohë. Vizitorët mund ta shohin ekspozitën çdo ditë pune nga ora 8 deri në 16:30 në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’ në Prishtinë.

Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë është për një shoqëri që ballafaqohet me të kaluarën dhe respektohen të drejtat e njeriut. Prandaj në Qendrën e Dokumentimit Kosovë organizohen ekspozita të ndryshme që kanë tematikë luftën në Kosovë.

“Qendra e dokumentimit Kosovë është hapur në vitin 2017 është hapësira publike për të drejtën humanitare në Kosovë organizatë e cila ka për qëllim informimin e publikut rreth luftës në Kosovë, ballafaqimin me të kaluarën  dhe drejtësisë tranzicionale. Që nga hapja e kësaj hapësire ne kemi pasur aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë më këtë temë si ekspozita histori gojore shfaqje të ndryshme deri “, tha Vesa Qena, koordinatore.

E ndërtuar përmes dëshmive të nëntë të mbijetuarve, ekspozita zbulon tragjeditë personale dhe humbjet e thella që përjetuan individët dhe familjet e tyre në atë periudhë të errët.

“Kemi vendosur se këtë ekspozitë të ja kushtojmë të gjithë të mbijetuarve të luftës në Kosovë”, theksoi Blerta Hoçia, kuratore.

Çdo rrëfim është një dritare drejt realitetit të ashpër të përballjes me dhunën dhe vdekjen, duke sjellë një kujtesë të dhimbshme dhe të nevojshme për t’u përballur me të kaluarën.

Ekspozita është e hapur çdo ditë pune, nga ora 8 deri 16:30në Bibliotekën ’Hivzi Sulejmani’ Në Dardani, Prishtinë deri në fund të muajit dhjetor.


MË SHUME NGA Kulturë