Buja: Kishte propagandë ndaj meje e Krasniqit se kinse kanë ikur nga lufta
BKT
Gjykata Speciale

Buja: Kishte propagandë ndaj meje e Krasniqit se kinse kanë ikur nga lufta

Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për të dytën ditë me radhë po vazhdon dëshminë e tij, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj ish- krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ish-komandati i UÇK-së, Shukri Buja, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se ka pasur propagandë ndaj tij se kinse ka ikur nga lufta. Gjithashtu ai ka theksuaer se ngjashëm kishte propagandë edhe për zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.

 “Pas bisedës me Jakup Krasniqin, unë kam prit për disa ditë e që mund të jenë edhe javë që të merret ndonjë masë ndaj meje apo ndaj atyre që kishin hapur propagandë të tillë, por nuk është marrë ndonjë masë dhe diku nga mesi i gushtit me është thënë që të shkoj të rregulloj vijat furnizuese në nënzonën operative, në të cilën isha përcaktuar si komandant i nënzonës dhe të filloj të strukturoj Zonën Operative”, ka theksuar Buja.

Sipas tij, kjo detyrë i kishte ardhur kur e kishte njoftuar Jakup Krasniqin që po udhëtonte për në Shqipëri, e që ky i fundit pastaj i kishte thënë që ta rregullonte vijën e furnizimit me armë dhe strukturën.

Buja u pyet se a është takuar ndonjëherë në Kleçkë me Hashim Thaçin.

“Nëse nuk gabo jam takuar në korrik. Ka pas një takim me ndërkombëtarët nëse nuk gaboj dhe pas takimit me ndërkombëtarët nëse nuk gaboj, ne kemi shkuar për t’u takuar me popullatën civile në Grykë të Shalës”, ka theksuar ai. 

Kurse, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka thënë se pyetja e prokurorit James Pace ‘a keni mbajtë kontakte me Thaçin për njësitet në atë kohë’, është sugjestive, ashtu siç janë edhe disa pyetje të tjera.

Në një rast, Mishetiq kërkoi nga trupi gjykues që t’i kërkojë ZPS-së që të zgjedhë njërin version të deklaratave të dëshmitarit që ka dhënë në rastin Limaj, qoftë atë të 2003-ës apo atë të 2005-ës.

Më pas ndërhyri prokurori Pace duke thënë se “kjo është e papërshtatshme dhe se avokati t’i bëjë pyetjet gjatë pyetjeve të veta. Nuk është ky momenti për të interpretuar dëshminë e dëshmitarit”.

Pas kësaj, Mishetiq iu kthye prokurorit duke i thënë se e vlerëson dhe se ‘mos ta ndërpres’, pasi sipas tij ai nuk ishte kundërshtimi i tij. Ai ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i kërkojë Prokurorisë të dinë se a do të ndjekin versionin e 2003-ës të deklaratave të dëshmitarit apo atë të 2005-ës.

Me pas, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, i tha avokatit se ai tha që pyetja është sugjestive, e që e rrëzoi këtë kundërshtim pasi nuk iu duk një konstatim i tillë që është i drejtë

“Nuk na dhatë asnjë shpjegim dhe tash jemi pas faktit. Unë nuk mund ta kundërshtoj Prokurorinë tani për këtë. Ju mund t’i bëni të gjitha pyetjet që dëshironi gjatë radhës tuaj të pyetjeve, por Prokuroria nuk merr udhëzim nga trupi gjykues për barrën e provës”, ka theksuar Smith.

Buja: E kam marrë vesh vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Buja ka thënë se për Hashim Thaçin e kishte marrë vesh më vonë që është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

“Për Hashim Thaçin e kam marrë vesh më vonë që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm. Më kujtohet që e kam kontaktuar (Thaçin në maj 1998), por se si e çfarë kemi biseduar është kohë shumë e gjatë”, ka thëne ai.

Për çështjen ndaj Fatmir Limajt, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë që Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar me detyrën që të siguronte vijën e armatimeve, e që kjo kërkesë ishte përcjellë nga Thaçi.

“Realisht e thamë më lartë se e kam marrë unë për detyrë, ndërsa në telefon që kam mudur të bisedoj e që nuk po më kujtohet. Ka mundur me e konfirmu zoti Thaçi në rregull është, por që nuk ka qenë urdhër. Nuk mund ta konfirmoj se është e saktë se rrethanat në të cilën e kam dhënë këtë dëshmi dhe realisht gjithmonë jemi thirr në Shtabin e Përgjithshëm, por unë nuk e kam ditë në maj nëse është Hashim Thaçi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm apo jo”, ka theksuar Buja.

Prokurori Pace ka insistuar se pse dëshmitari në çështjen Limaj kishte thënë se këtë detyrë ua kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm dhe se ia kishte përcjellë Thaçi.

“Ne kemi supozuar se kush mund të jetë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe nuk e kemi ditë por e kemi supozu se mund të jetë Hashim Thaçi apo dikush tjetër. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë në aspektin e supozimit se ka mujt të jetë ai anëtar i Shtabit të Përgjithshëm”, ka theksuar Buja.

Dëshmitari theksoi se nuk po i kujtohet saktë se kush ia ka përcjellë këtë detyrë, Thaçi apo vëllai i tij, Agush Buja. Tha se nuk i kujtohet kontakti me Thaçin lidhur me këtë çështje, por që në raste të ndryshme ai tha se ka kontaktuar përveç tij edhe me vëllanë e po ashtu edhe me Azem Sylën.

“Për momentin nuk është duke m’u kujtu por unë kam kontaktu edhe me vëllain, edhe me Hashim Thaçin kur ka qenë në Zvicër, edhe me Azem Sylën për të cilin në atë kohë kam supozuar që është komandant i përgjithshëm”, ka deklaruar ish-komandanti i UÇK-së.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari është së bashku me avokatin kujdestar, që është Taulant Hodaj.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale