Buja përfundon dëshminë në Hagë
BKT
Gjykata Speciale

Buja përfundon dëshminë në Hagë

Elmina Osmani /RTK

(E plotësuar) Ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja, ka njoftuar se është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë. Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës, të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare.

Buja ka theksuar se kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë e tij, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së.

Përndryshe, Shukri Buja sot e kishte ditën e katërt dhe të fundit të dëshmisë në Gjykatën Speciale.

Ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja, në ditën e katërt të dëshmisë, në sallën e gjyqit të Speciales është pyetur për krijimin e brigadave, funksionimin e ushtrisë, koordinimin mes shtabeve e komandantëve të zonave.

Derisa u pyet për Jakup Krasniqin dhe rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se detyrat operative ndaj tij nuk kanë pasur kuptim pasi që ai ishte zëdhënës i UÇK-së. Buja shtoi se e ka pritur me gëzim Krasniqin si zëdhënës pasi, sipas tij, ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm.

Dëshmitari të enjten është përballur me pyetje nga trupi gjykues si dhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve. Buja u pyet edhe rreth komunikatave të UÇK-së, për të cilat tha se nuk ka qenë në dijeni nga cili vend kanë ardhur.

 

Buja: Krasniqi ka qenë zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me detyra operative

Sh.Ç/RTKlive

Dëshmitari Shukri Buja në Hagë ka theksuar se Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është marrë me detyra operative.

“Ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe detyrat operative nuk kanë kuptim”, tha Buja, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Një gjë të tillë, Buja e kishte thënë edhe në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në vitin 2005 dhe se këtë përgjigje ai e dha gjatë kundërpyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.

Buja ka thënë se emërimin e Krasniqit si zëdhënës e ka pritur me padurim për shkak të personalitetit të tij.

“Jakup Krasniqin në emërimin si zëdhënës i UÇK-së e kam prit me padurim sepse ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Një njeri që ka pasur vizion politik të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një njeri që është pritur në mënyrë jashtëzakonisht të mirë nga popullata civile”, ka deklaruar  Buja, duke shtuar se Krasniqin e ka takuar rreth qershorit 1998.

Nga dalja publike si zëdhënës i UÇK-së, Buja ka thënë se u kuptua që Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Ai ka deklaruar se detyra operative në UÇK gjatë verës kanë pasur Azem Syla si komandant i Përgjithshëm dhe Sokol Bashota si zëvendës i tij.

Ndërsa, në korrik të ’98-ës, sipas tij, Bislim Zyrapi ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm e që edhe kjo ishte një detyrë operative.

Buja: Veseli nuk më ka dhënë urdhra mua e as Reçicës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dëshmon për të katrën ditë, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ish-komandati i UÇK-së, Shukri Buja gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se Kadri Veseli kur ishte në pozitën e shefit të Zbulim-Kundërzbulimit në i ka dhënë urdhra atij ose personit përgjegjës për këtë sektor në Zonën Operative të Nerodimes.

“Jo s’me ka dhanë urdhër”, ka thënë Buja duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Buja për Ilmi Reçica ka thënë se ka qenë në kuadër të komandës së Nerodimes dhe s’ka pasur se si të merr urdhra nga Veseli.

“Jo se Reçica ka qenë në kuadër të Komandës së Zonës Operative të Noredimes”, ka deklaruar Buja.

Përpara kësaj, Buja ka thënë se Reçicën në këtë pozitë e kishte emëruar vetë ai. Buja ka deklaruar se qëndron fakti se ai e ka thirr në telefon Reçicën për ta njoftuar se është emëruar në këtë pozitë pasi që ai ishte jashtë vendit, konkretisht në Shqipëri.

Në ditën e katër të dëshmisë së tij, Buja ka thënë se Reçica e mori detyrën në janar të 99-ës dhe se kishte shumë pak burime për ta ushtruar atë detyrë dhe se për tre muaj vetëm ai ka qenë në atë sektor.

Dëshmitari u pyet se Reçica a ia raportonte atij informacionet që mblidhte gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në një periudhë më të vonë, po. Mund të jetë pas shkurtit sepse në atë kohë është konsolidu më mirë sektori i Zbulim-Kundërzbulimit”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së.

Buja ka deklaruar se shumica e raportimeve ishin gojarisht por që ka pas raste kur ka raportuar edhe me shkrim në rast që ka pas lëvizje të mëdha të forcave serbe.

Në fillim të seancës, trupi gjykues mori disa urdhra duke përfshirë pranimin dhe rrëzimin e disa kërkesave për pranueshmërinë e provave materiale.

Ndonëse dje kishte diskutime për besueshmërinë e dëshmitarit dhe konstatimet e turpeve të tjera gjykuese lidhur me deklaratat e mëhershme të tij, kryegjyqtari tha se përgjegjësia e vlerësimit i mbetet këtij Trupi Gjykues.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale