RTK pjesë e programit të JICA-s për shkëmbim përvojash
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla po merr pjesë në takimet me zyrtarë të lartë të transmetuesit publik japonez NHK dhe JICA-s japoneze, si donatore e RTK-së në projekte të ndryshme.
Gërvalla përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se JICA së shpejti do të kontribuojë në hapjen e zyrave të reja rajonale të RTK-së, pas atyre në Mitrovicë dhe Prizren.
“Viti 2024 filloi me një projekt të përbashkët me korporatën mediatike NHK, ku së bashku do ta përmbyllim vitin 2025 me dokumentarin për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Gërvalla.
RTK është e ftuar për të marrë pjesë në programin e JICA-s japoneze për tri javë, për të shkëmbyer përvojat me mediume të ndryshme botërore, përfshirë edhe përfaqësuesit e medias publike ukrainase përgjegjëse edhe për raportimet nga vijat e para të frontit kundër pushtimit rus.
























