AVONET: Therja e katër personave, ngjarje alarmante për sigurinë
BKT
Lajme

AVONET: Therja e katër personave, ngjarje alarmante për sigurinë

G.K/RTKlive

Rrjeti i Organizatave joqeveritare “AVONET” ka reaguar lidhur me plagosjen e katër personave në Ferizaj duke e quajtuar këtë ngjarje si tejet alarmante për sigurinë publike në Komunën e Ferizajt.

"Therja e katër personave është një ngjarje tejet alarmante për sigurinë publike dhe përbën një sinjal të qartë për pasigurinë publike me të cilën përballen qytetarët e Komunës së Ferizajt. Fatkeqësisht, incidentet e ngjashme, përfshirë therrjet dhe rrahjet e vazhdueshme, kanë ndikuar thellësisht në ndjenjën e pasigurisë me të cilën përballen qytetarët", thuhet në kumtesë.

AVONET thekson mes tjerash se është e shqetësuar për gjendjen e sigurisë publike në Ferizaj.

"Është për të ardhur keq që Komuna e Ferizajt nuk mban në funksion një mekanizëm të rëndësishëm për garantimin e sigurisë, siç është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi -KKSB. Ky forum, i cili ka për qëllim identifikimin dhe trajtimin e çështjeve të sigurisë publike, do të duhej të ishte në qendër të bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve", thotë AVONET në komunikatë.

Sipas rrjetit të OJQ-ve, roli i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit është thelbësor, bazuar edhe në Strategjinë për policinë në bashkësi.

"AVONET ngrit alarmin mbi mungesën e komunikimit mes institucioneve dhe qytetarëve, çka ndikon drejtpërdrejt në identifikimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla tragjike. Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe një bashkëpunim të përforcuar për të rikthyer besimin dhe sigurinë publike", theksohet tutje në kumtesë.


MË SHUME NGA Lajme