Sonte hapet ekspozita ‘Psherëtimë Hyjnore’
Sh. Gashi|rtklive
Në Galerinë ‘Open Art’ sonte do të hapet ekspozita personale e artistit Leart Hyseni e titulluar ‘Psherëtimë Hyjnore’ “Divine Sigh” dhe e kuruar nga Zeni Ballazhi.
Artisti Leart Hyseni, tha se ekspozita “Psherëtimë Hyjnore” është e gjitha një përjetim shpirtëror nga përvoja e tij jetësore.
“Sonte hapet ekspozita ‘Psherëtimë Hyjnore’, e cila vjen nga gjithë ajo që kam përjetuar. Këtu po e shohim bletën të cilën e ka vizatuar djali im i cili pasi u diagnostifikua me kancer u drejtuam për në onkologji dhe në atë vend kemi parë shumë fëmijë engjëj të cilët pa vetëdijen e tyre ndodheshin në atë repart. Aty ishte një tarracë që prindërit pinin kafe dhe cigare, ishte si një pushim i shkurtër, aty kam parë shumë prindër që pas një kafeje a cigareje e ngrinin kokën lart sikur të ishte një lutje e heshtur e mistershme dhe shfryheshin fort. Nga aty më erdhi në mendje psherëtima hyjnore, e cila mu ngulit në kokë dhe derisa i kam realizuar të gjitha punimet më ka mbajtur ajo ndjenjë, e gjithë ajo që e kam ndjerë nga krejt ai mllef që e kam pasur dhe e kam përjetuar aty”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit në RTK.
Sipas tij, “Psherëtima hyjnore”, ka një mesazh të fuqishëm shpirtëror dhe human.























