Kurti: Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike|Video
BKT
Foto: Donika Sherifi|RTK
Lajme

Kurti: Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike|Video

V.Th.| RTKlive

(E përditësuar, ora 10:35) Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij në fillim të mbledhjes ka thënë se Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës të investimeve. Ai ka uruar që Gjykata Kushtetuese nuk do ta hedhë poshtë ligjin për Fondin Sovran të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar bllokim të reformave pozitive dërgimin që opozita po ua bën ligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e kësaj gjykate. Duke folur për Ligjin për Fondin Sovran, Kurti ka thënë se ka një vit prej kur ky ligj është në sirtar të Gjykatës.

"Në dhjetor 2023, në Kuvendin e Republikës e kemi miratuar Ligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës. Kurse muajin tjetër, bëhen një vit prej kur ligji është në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Çdo ditë që po kalon, është kohë e humbur dhe jashtëzakonisht e vlefshme,  meqenëse po pengohet shteti jonë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike të shoqëruar me progresin më të lartë demokratik", ka theksuar ai.

Sipas tij, Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve.

"Urojmë që paralajmërimet opozitare, që Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë ligjin tonë për Fondin Sovran të Kosovës, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta. Pra, urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste, siç ndodhi me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me Ligjin për çmimin tavan për produktet bazë, ndër të tjera.”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka lavdëruar punën e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës. Ai ka bërë thirrje për mbështetjen e këtij instituti, për misionin e drejtë të tij, që është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë.

"Ky institut u themelua nga nevoja për të ruajtur dhe për të dokumentuar të vërtetën e vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës. Këtë javë Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës. Nëse do t’i rendisnim materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo thënë ndryshe 15.8 tera bajt. E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuar: qytetarëve, organizatave, institucioneve, komunave, ministrive, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Falënderoj secilën e secilin prej jush për dëshmitë që keni ndarë dhe për kujtimet që keni ruajtur. Ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të mbështesni Institutin drejt realizimit të këtij misioni të drejtë e fisnik të tij. E dimë se ky proces nuk është i lehtë, por është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën, për ta dokumentuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë. Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të mbrojtur kujtesën tonë kolektive. Andaj, në raste si kjo, veçanërisht kujtojmë të gjithë ata, të cilët sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Është detyra jonë morale dhe institucionale të sigurojmë që vuajtjet e tyre të mos harrohen kurrë. Është nderim e drejtësi ndaj atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe ndaj familjeve që ende bartin dhembjen e të vrarëve dhe të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka theksuar Kurti.

Nisi mbledhja e Qeverisë

Nisi mbledhja e Qeverisë së Kosovës. Në këtë mbledhje në rend dite janë 13 pika.


MË SHUME NGA Lajme