Vriten dy persona në Klinë
M.M. /RTKlive
(E përditësuar 19:00) Është konfirmuar vdekja e personit të dytë nga të shtënat me armë zjarri, sot në Klinë. Zëdhënësi i policisë për rajonin Pejës, Fadil Gashi tha se mjeku i Emergjencës së Spitalit Rajonal në Pejë ka deklaruar se i plagosuri ka mbërritur pa shenja jete.
Gashi deklaroi për RTKlive dhe tashmë është arrestuar një i dyshuar lidhur me rastin.
Drejtori i Policisë Rajonale në Pejë, Shaban Shala në një deklarim për media nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja e dyfishtë në Klinë ka folur në detaje për rastin tragjik që ndodhi këtë pasdite në këtë qytet.
Sipas tij, Stacionit Policor në Klinë informata për të shtëna me armë u shkoi në 17:17 minuta dhe reagimi i tyre ishte i shpejtë.
Ai ka treguar se kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes kanë parë viktimën, por i dyshuari kishte arritur të ikte nga vendi i krimit e i cili pas një punë hetimore e operacionale të shpejtë i njëjti ka arritur të vihet nën pranga nga policia.
“Ju informoj se rreth orës 17:17 minuta kemi marr një informacion në Stacionin Policor të Klinës për të shtëna me armë në një lokal. Njësitet relevante të policisë i janë përgjigjur menjëherë thirrjes duke ardhur në vendin e ngjarjes, ku kanë parë viktimën ndërsa i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes. Pas një pune hetimore dhe operacionale të shpejtë është arrestuar i dyshuari”, tha ai.
Shala tregoi se personi tjetër që ishte i plagosur vdiq rrugës derisa po transportohej për në Spitalin Rajonal të Pejës.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi tha se me vendim të prokurorit i dyshuari do të ndalohet për 48 orë, derisa nuk ka dhënë detaje lidhur me motivet.
Ai tha se për këtë është ende shumë herët të flitet meqë rasti ndodhi vetëm pak orë përpara.
“Personi i arrestuar me urdhër të prokurorit do të ndalohet për 48 orë e për motivet është shumë fazë e hershme të flasim. Për këtë çështje duhet ët zhvillohen hetime, të intervistohen shumë persona edhe personi i dyshuar. Nuk mund të spekulojmë për motivet, ajo çka është relevante është se kemi trajtuar me seriozitet të lartë rastin sepse i kemi dy prokurorë të krimeve të rënda në vendin e ngjarje”, tha Nikqi.
18:00 Të shtëna me armë zjarri në Klinë, një i vrarë dhe një i plagosur
Një person është qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur në qytetin e Klinës. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasditës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Rreth orës 17:17 stacioni policor në Klinë është njoftuar se në një lokal, në sheshin `Mujë Krasniqi`, në Klinë, ka të shtëna me armë zjarri.
Policia edhe ambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një personi në vendin e ngjarjes dhe një tjetri në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar në Spitalin e Pejës, ka thënë për RTK-në Fadil Gashi.























