30 ditë paraburgim serbit që mori pjesë në sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan
V.Th| RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë sot ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Marko Daniqit, për pjesëmarrje në sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan vitin e kaluar.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për RTKlive ka konfirmuar se të njëjtit iu caktuar paraburgim nga gjykata.
"Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale të të pandehurit M.D, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.D dhe të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji", ka thënë Gashi.
Ndryshe Marko Daniq, i akuzuari për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë të shtunën. Daniq ishte arrestuar një ditë më parë për sulmet e majit të vitit 2023.























